Në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv është diskutuar mbi përplasjen mes Erion Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama, si dhe mbi kërkesën e kryebashkiakut për t’u operuar në një spital në Tiranë, e cila nuk është pranuar nga Drejtoria e Burgjeve, që ka udhëzuar që ndërhyrja kirurgjikale të kryhet në Spitalin Memorial Fier.

Avokati Leonard Karaj tha gjatë fjalës së tij se Veliaj synon që duke zgjedhur spitalin dhe mjekun me të cilin do të realizojë operacionin, të përfitojë nga kjo situatë sa ta zgjasë periudhën e rikuperimit shëndetësor për muaj të tërë, aq sa në një moment të caktuar sipas tij, mund të iniciojë një kërkesë në Gjykatë për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, për këtë arsye.

Karaj mori shembull rastin e ish-ministrit Saimir Tahiri, i cili sipas tij, nuk e kreu të gjithë dënimin me burg, për shkak të një problemi shëndetësor që kishte një familjar i tij.

“A ka të drejtë Veliaj t’i drejtohet Gjykatës për operacionin? Po, ka të drejtë të bëj çdo lloj kërkese ndaj Gjykatës, në momentet ku ndodhet çështja e tij gjyqësore. Pastaj është Gjykata që vendos. Pjesa nëse mund të zgjedhë ai se ku duhet të operohet, ka një standard në raport me të burgosurit dhe të paraburgosurit. Dhe ky standard është bërë në bazë të rregullores dhe ligjit. Është funksionaliteti i Drejtorisë së Burgjeve në të gjitha rastet dhe përgjegjësi e Drejtorisë së Burgjeve, për cilindo të paraburgosur në raport me gjendjen e tij shëndetësore. Fakti që Veliaj kërkon me ngulm që të mos bëhet operacion atje ku i ka caktuar Drejtoria e Burgjeve, unë shikoj diçka krejt tjetër.

Kërkesa e Veliajt edhe duke zgjedhur doktorin, qëndron në faktin jo çfarë do ndodhë gjatë operacionit, por pas operacionit. Sepse mund të ndodhë që Nardi që e ka qejf Denisin e lë atë me raporte të tilla mjekësore... Sepse doktori është zot... Ai mund të thotë se Veliaj ka nevojë për rikuperim për disa muaj në atë spital. Gjithë narrativa e Veliajt qëndron pikërisht në këtë. Kjo ka njëlloj djallëzie nga brenda, sepse Veliaj kërkon të përfitojë nga kjo situatë e tillë sa ta zgjasë këtë rikuperim shëndetësor për muaj të tërë, aq sa në një moment të caktuar mund të iniciojë një kërkesë në Gjykatë për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, për shkak të gjendjes së tij. Tahiri ka dalë pa e ezauruar të gjithë dënimin e tij me burg, për shkak të një problemi shëndetësor që nuk e kishte ai vetë, por një familjar i tij”, tha mes të tjerash Karaj.

Nga ana tjetër, juristi Romeo Kara tha se vonesat e shkaktuara për realizimin e operacionit të Veliajt janë në shkelje të ligjit.

Vonesa e kryerjes së operacionit 2 javë pasi mjeku e këshilloi, sipas avokatit Kara forcon narrativën e Veliajt se ndaj tij ka një luftë politike.

Sipas juristit Kara, operacioni mund të çojë edhe në një masë më të lehtë sigurie për kryebashkiakun Veliaj.

“Për vonesat që i janë shkaktuar, nëse mjeku ka konstatuar që ky ka nevojë për operacion dhe sa më shpejtë, është shkelur besoj neni 34b pika ç. Kur ka probleme shëndetësore i paraburgosuri, duhet t’i jepet ndihma menjëherë. Pra kur e këshillon mjeku. Ndihmën s’e kemi ne këtu jashtë dhe jo ai brenda. Nga ana ligjore, humanizmi është gjëja e parë. Nëse mjeku ka konstatuar se ai duhej operuar para 2 javësh, ai duhej operuar para 2 javësh. Dhe kjo forcon narrativën e tij se ndaj tij ka një luftë politike. Tani do të kushtëzohet edhe gjendja e tij e paraburgimit, do të jetë në një burg afër spitalit. Kur të dalë do thotë mjeku ‘ka nevojë për një njeri që t’i shërbejë’. O do ketë infermier nga burgu, ose do e kthesh në shtëpi te familjarët”, tha mes të tjerash juristi Romeo Kara.

Juristi Kara shtoi se nëse mbyllen hetimet ndaj Veliajt, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë ai nuk ka pse të qëndrojë më në burg, nëse plotëson kriteret.

Duke theksuar se shumë personazhe të politikës kanë lënë qelinë pas përfundimit të hetimeve, juristi Kara tha se kjo gjë mund të ndodhë edhe me kryebashkiakun, pasi sipas tij, ai nuk mund të diskriminohet.

Ndalimi i takimeve me avokatin Plarent Ndreca, sipas juristit Kara do ta penalizojë drejtësinë shqiptare në raport me Veliajn në Strasburg.

“Derisa dikë tjetër e ke nxjerrë nga burgu se ka dhimbje mesi, do ta nxjerrësh edhe këtë. Se ne e dimë që kanë vajtur edhe për dhëmballë të burgosur që kanë bërë vrasje, janë kënaqur biles duke bërë vrasje, është marrë vetëm risku, arratiset apo jo, bëjnë analizën e riskut, ka bërë dhëmbët zotëria edhe ka ardhur. Këto dihet se çfarë bëhet. Kemi edhe spitale që pranojnë kavaleshencë, që të rrish me muaj për qejf, kur e ke mirë me yxhymetin. Tani nëse do dali ky dhe jepet ai raporti dhe do kërkojë përkujdesje, ç’do bëhet me të? Do ndryshojë gjendja e paraburgimit. Tani nëse do të dalë edhe për këtë që mbaruan hetimet, përderisa dalin të tjerët do dalë edhe ky tani. Diskriminim nuk bën dot tani.

Diskriminim nuk bën dot, sepse edhe njerëzit janë emancipuar. Edhe ne kur arrijmë ta pranojmë që kur mbarojnë hetimet dhe në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë nuk janë më kushtet që të bëjë vepër tjetër penale, të largohet, edhe të mos helmojë provat, edhe ai mund të dalë. Në raport me gjykimin e tij, unë e shikoj se do të zgjatet gjykimi i tij. Prandaj ka rënë dakord Dumani që ta bëjë qoftë edhe me video-call. Veliaj nëse konstaton shpërdorim detyre, le të bëj kallëzim. Takimet me avokatin do të jenë takime që do të penalizojnë drejtësinë shqiptare në raport me Veliajn në Strasburg. Unë këtë e kam bindje të plotë. Edhe operacioni, edhe takimet me avokatin, i shërbejnë narrativës së tij për të politizuar procesin”, shtoi juristi Romeo Kara.