Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë rishikuan këtë të hënë një vendim unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e tij. Vendimi i marrë në unanimitet parashikon se kufizimi më i rëndë i lirisë personale, masa e arrestit me burg duhet të merret pasi më parë të jenë shqyrtuar realisht masat e tjera alternative. Po ashtu kërkohet arsyetim rast pas rasti për personin e përfshirë dhe që të jetë prokuroria ajo që të ketë barrën e provës për të justifikuar nevojën e masës ekstreme.

***

Disa ndërhyrje në kodin e procedurës penale të ndërmarra ndër vite por dhe disa vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejta e njeriut kundër Shqipërisë, në të paktën tre cështje që lidhen me kohëzgjatjen e paraburgimit të personave në pritje të gjykimit duket se e kishin bërë të papërshtatshëm dhe të tejkaluar vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë të marrë në vitin 2011.

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, u mblodhën fillimisht në 9 prill, me kërkesë të kryetarit Sokol Sadushi, i cili shfrytëzoi shqyrtimin e një ankimi të Prokurorisë ndaj një vendimi të Apelit që zëvendësonte arrestin me burg me arrest shtëpie për një person të kapur me mbi 7 kg cannabis sativa.

Këtë të hënë ata u shprehën unanimisht në favor të ndryshimeve të vendimit të vitit 2011

“Kolegjet e Bashkuara çmojnë se qëndrimet orientuese të këtij vendimi, për aq sa lidhen me caktimin dhe vijimin e masës “arrest në burg”, duhet të lexohen në përputhje me karakterin përjashtimor të kësaj mase, me detyrimin për arsyetim konkret, të individualizuar dhe të kontrollueshëm, me nevojën për shqyrtim real të masave më pak kufizuese, me vlerësimin konkret të rrezikshmërisë së veprës dhe të personit, si dhe me barrën e organit të akuzës për të justifikuar nevojën e kufizimit më të rëndë të lirisë personale”, tha Sokol Sadushi.

Leximi i vendimit të Kolegjeve të Bashkuara, arsyetonte tre momentet e ndërhyrjes.

Lidhur me parashikimin e deritanishëm se gjykata nuk ka detyrim që të analizojë përse llojet e tjera të masave të sigurimit nuk janë të përshtatshme, Kolegji saktëson se “gjykata ka detyrimin të shqyrtojë realisht masat e tjera më pak kufizuese të lirisë personale dhe të arsyetojë shprehimisht përse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret. Ky arsyetim duhet të jetë i shprehur, i individualizuar dhe i mbështetur në fakte e rrethana të posaçme të çështjes, duke pasqyruar qartë rrezikun konkret, sipas nenit 228, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe domosdoshmërinë, përshtatshmërinë dhe proporcionalitetin e kufizimit të lirisë, në përputhje me standardet kushtetuese dhe konventore.”

Çështja e dytë lidhej me faktin se deri më tani rrezikshmëria e autorit përcaktohej nga vetë vepra penale. Por sipas vendimit të ri masa e arrestit me burg, ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme.

“Rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e autorit nuk nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e krimit ose nga marzhi i dënimit, por nga vlerësimi i ndërthurur i rrezikshmërisë së veçantë të faktit penal, i mënyrës së kryerjes, pasojave të ardhura, i personalitetit të të pandehurit, i sjelljes së tij, si dhe i rrethanave të tjera të rëndësishme dhe të lidhura ndërmjet tyre për rastin konkret”, tha Sokol Sadushi.

Sipas vendimit të 2011, barrën e provës se përse nuk duhet dhënë masa e arrestit me burg, e kishte i akuzuari. Me ndërhyrjen e realizuar përmes rishikimit të këtij vendimi, ky element është përmbysur

“Barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës së sigurimit “arrest në burg” i takon prokurorisë, ndërsa gjykata ka detyrimin ta verifikojë dhe ta arsyetojë atë në çdo fazë të procedimit. Prokuroria ka detyrimin të paraqesë dhe të argumentojë në mënyrë konkrete faktet dhe rrethanat që mbështesin nevojën e kësaj mase, përfshirë rrezikun konkret dhe papërshtatshmërinë e masave më pak kufizuese”, tha Sadushi.

Vendimi i Kolegjeve të Bashkuara, i cili ka peshën e një ligji për sistemin gjyqësor, do të hyjë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare. Interpretimi i ri për mënyrën e aplikimit të arrestit me burg, nuk përfshin vetëm ata që do të ndiqen penalisht në të ardhmen, por dhe këdo që ndodhet në paraburgim në pritje të gjykimit, e që do të kërkojë rishikimin e masës së sigurisë.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë