SPAK ka reaguar zyrtarisht pas udhërarrestit ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë arrest në shtëpi dhe pezullim nga detyra. Hyseni dyshohet se me informacione sekrete të shtetit ndihmoi në arrati Ergys Agasin, i akuzuar dhe i arrestuar në gusht si kreu i një grupi të strukturuar kriminal në aferën e AKSHI-t. Në njoftim SPAK kujdeset ta veçojë se akuza i referohet paragrafit të dytë të nenit 302, që bën fjalë për dhënien e ndihmës krimit të organizuar.

Fatjon Kalluçi, përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore, dyshohet për “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” te grupet kriminale. Embro Sulejmani, është nën hetim për “Përkrahja e autorit të krimit”. SPAK bën me dije se janë kontrolluar edhe 2 vila në zonën e Durrësit.

Njoftimi i plotë i SPAK

SPAK ekzekuton masa të reja sigurimi dhe kontrolle vendesh në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryhen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar,  me vendimin nr. 67, datë 21.9.2026 ka caktuar këto masa sigurimi:

  1. “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetases V. H., me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHSH), si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
  1. “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin F.K., me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.
  1. “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin E.S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Këto vendime i janë dërguar Policisë së Shtetit e cila ka ekzekutuar dy prej tyre.

Me vendimin nr. 618, datë 20.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit I.P., ish funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.

Me vendimin nr. 619, datë 21.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave që ndodhen në adresën; kryqëzimi i rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe rrugës “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozet, Durrës.

Prokuroria e Posaçme falënderon Policinë e Shtetit për mbështetjen në ekzekutimin e këtyre vendimeve.


Lajmi kryesor:

Hetimet për Agasin/ Arrest shtëpie dhe pezullim nga detyra për kreun e SHISH, Vlora Hyseni rezulton jashtë shtetit! 2 në pranga, kontrolle te Proda dhe një kompleks vilash në Durrës! SPAK zbardh akuzat