Shkarkimi i Vlora Hysenit nga posti i zëvendësdrejtores së Agjencisë Kosovare të Inteligjencës në vitin 2021 vazhdon të ngrejë pikëpyetje, pasi autoritetet kosovare nuk dhanë një arsye konkrete për vendimin. Tani që në Shqipëri ajo është pezulluar nga drejtimi i SHISH-it dhe është vendosur në arrest shtëpiak, këto pikëpyetje vetëm sa janë shtuar. Por, për ekspertin e sigurisë në Kosovë, Drizan Shala, shkarkimi i Hysenit nga AKI nuk duhet ndërlidhur me akuzat ndaj saj në Shqipëri.

Gjatë një interviste me Nertil Agalliun në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, Shala tha se ndryshimet në drejtimin e AKI-së kanë ndodhur pas ndryshimeve politike dhe qeveritare. Sipas tij, pozitat e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit përcaktohen me vendimmarrjen e presidentit dhe kryeministrit të Kosovës.

“Pas ndryshimeve politike dhe qeveritare ndodhën ndryshime edhe tek Inteligjenca. Pozita e drejtorit dhe zv drejtorit të  AKI-së i takon marrëveshjes politike mes presidentit dhe kryeministrit, ndërsa për krye inspektor është në varësi të kryeministrit. Ndryshimet në Kosovë që nga themelimi i AKI-së ka ndodhur si pasojë e ndryshimeve politike pra nuk ka patur ndonjë element substancial kriminal në raport me shkarkimin e saj. Po të kishte ndonjë shkelje të rëndë, padyshim që do ishte hapur një rast hetimor ndaj saj” tha Shala.

Eksperti i cilësoi thashetheme pretendimet se Hyseni ishte larguar nga AKI-ja për nxjerrje informacionesh sekrete. Ai argumentoi se, nëse do të kishte pasur dyshime të bazuara për një shkelje të tillë, autoritetet kosovare do të kishin hapur një çështje penale.

“Këto janë qëndrime dhe thashetheme që dalin në media por që nuk korrespondojnë me realitetin. Zonja në fjalë pas shkarkimit ka vijuar jetën normale dhe Kosova nuk ka hapur ndonjë rast hetimor për ndarje sekretesh me palë të treta” tha Shala., u shpreh Shala.

Ai theksoi se situata në Shqipëri është tjetër. Hyseni akuzohet nga SPAK për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror ose të shërbimit.

“Nuk mund ta ndërlidhim shkarkimin në Kosovë me atë në Shqipëri, sepse veprimet janë diametralisht më inkriminuese në Shqipëri, ndërsa në Kosovë nuk ka pasur një rast deri më tani”, tha eksperti.

Shala bëri thirrje gjithashtu që dyshimet ndaj drejtueses së pezulluar të mos përdoren për të baltosur SHISH-in si institucion.