Vendosja e drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni, në arrest shtëpiak dhe kontrollet ndaj ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, duhet të kishin sjellë një reagim të menjëhershëm të Parlamentit, tha deputetja demokrate Jorida Tabaku në hapje të mbledhjes së Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, të cilin ajo e drejton.

Deputetja akuzoi qeverinë se ka lejuar ndikimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në institucione dhe kërkoi përgjegjësi institucionale.

Fjala e Tabakut në Komision

“Nuk besoj se dje ka qenë një ditë e mirë për Shqipërinë. Ne jemi opozitë dhe, ndonëse jemi në kahe të ndryshme, nuk gjetëm asnjë lajm të mirë në marrjen nën hetim të kreut të SHISH-it, Vlora Hyseni.

Ishte një lajm i trishtë për Shqipërinë, për shtetin shqiptar dhe për besimin që kemi te SHISH-i. Pezullimi nga detyra i drejtueses së SHISH-it dhe, njëkohësisht, akuzat e ngritura nga SPAK-u kanë cenuar themelet e shtetit.

Ajo që pamë dje ishte një pasqyrë besnike se kujt i ka dhënë besën qeveria shqiptare. Ata i kanë dhënë besën një pakice, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Edhe si përfaqësuese e opozitës, edhe si kryetare e komisionit, do të kisha dëshiruar që Parlamenti të ishte ngritur në këmbë dhe ta kishte këtë çështje në majë të gjuhës e në qendër të debatit.

Kjo nuk është një çështje që duhet të na ndajë në të majtë dhe të djathtë. Është një çështje e Shqipërisë, që lidhet me reputacionin dhe emrin e vendit tonë.

Për të thënë të vërtetën, ka pasur akuza të shumta ndaj kreut të SHISH-it për përfshirje dhe bashkëpunim të dyshuar me elementë të krimit të organizuar, të cilët janë nën hetim. Ka akuza për ish-zëvendëskryeministren, ka akuza ndaj AKSHI-t dhe ka akuza ndaj ish-drejtorit të Policisë së Shtetit.

Madje, zoti Bardhi, të cilin e kemi sot këtu, në vitin 2023 i kërkoi Presidentit të Republikës transparencë dhe informacion për zonjën Hyseni, pasi disa vite më parë ajo ishte larguar nga institucioni homolog në Kosovë.

Ne duhet të jemi të pjekur dhe ta duam vendin tonë më shumë sesa partinë. Këtë çështje duhet ta trajtojmë si një çështje të Shqipërisë.

Unë besoj se nuk ka pasqyrë më të qartë dhe dëshmi më besnike për këtë shumicë sesa ajo që SPAK-u na vërtetoi.

Me trishtim i bëj këto komente. Me trishtim e ngre shqetësimin se sot të gjitha strukturat e shtetit kanë rënë dhe janë cenuar, ndërkohë që Shqipëria duhet të ishte në një dinamikë dhe në një proces tjetër.”


Lajmi kryesor:

Arrestimi i kreut të SHISH, debate në Komisionin e Ligjeve! PD: Ka rënë shteti, siguria kombëtare është cenuar (VIDEO)