TIRANË- Afera e Inceneratorëve ka çuar pas hekurave një ish-ministër dhe një ish-deputet, por për nënkryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, drejtësia ka vepruar me vonesë. E ftuar në Report Tv, Xhixho thotë se hetimet e SPAK nuk duhet të mbeten në nivel dytësor, por të shtrihen deri në kupolën qeverisëse, pasi urdhri për implementim e aferës së inceneratorëve, sipas saj ka ardhur nga qeveria.
"Do kisha dashur që drejtësia të vepronte me shpejt, provat që ne kemi depozituar kanë qenë voluminoze do duhej që kjo aferë korruptive, presim të veprojë sa më shpejt me zbardhjen deri në fund. Koka apo Bllako, apo 13 urdhër arrestet që janë bërë nga SPAK, jam e bindur këto janë niveli i dytë i peronave që kanë përgjegjësi. Kryesorët janë kupola kryesore e qeverisë, duke filluar nga Rama. Hetimi që ka bërë SPAK mos të mbetet në nivel dytësor, por të shkojë tek ata që kanë dhënë urdhrin politik për implementimin e kësaj afere", tha Xhixho në Report Tv.
Ndonëse Lefter Koka dhe Alqi Bllako para se t'i bashkoheshin Partisë Socialiste, kanë qenë pjesë e LSI, Xhixho thotë se kjo nuk e ka kompleksuar këtë forcë që të denoncojë aferën e Inceneratorëve. Në 'Studio Live' me gazetarët Arbër Hitaj dhe Migena Sotiri, deputetja Xhixho thotë se LSI është shumë e qartë në qëndrimin e saj për çdo zyrtar që shkel ligjin.
"Nëse funksionarët publik janë emëruar nga LSI në funksione të ndryshme publike, qëllimi që kanë shkuar janë t'i shërbejnë funksionit. Në momentin që shkelet ligji çdo person është i barabartë përpara ligjit. Manjani dhe Vasili e kanë kundërshtuar procesin e Inceneratorëve. Koka dhe pas largimit nga LSI, kjo nuk na kompleksoi. Në këtë rast t'i japim një meritë LSI që ka qenë e para në denoncimin e këtij skandali. Qëndrimi i LSI ndaj çdo zyrtar që shkel ligjin është shumë i qartë", tha Xhixho në Report Tv.
Sipas Xhixhos, Komisioni Hetimor për Inceneratorët nuk ka prodhuar asgjë, por ka zvarritur hetimin që po bëhej nga organet e drejtësisë.
"Kemi depozituar në SPAK me dosje. Në parlament nuk kanë prodhuar gjë. Jam skeptike ndaj çdo komisioni hetimor sidomos kur ngrihet kur një çështje është duke u hetuar. Vetëm e ka zgjatur në kohë hetimin e ka zvarritur dhe nuk i ka shërbyer hetimit. Edhe përjashtimi që mbajti kryetarja e Komisionit për ta përjashtuarit LSI tregon qartë se nuk ka dashur gjithë përfshirje të aktorëve që kanë dijeni në këtë çështje. Pse? Për këtë duhet pyesni PD", u shpreh Xhixho.
Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK ai akuzohet se ka falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, tokë mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit. Kjo shkelje, thotë Prokuroria e Posaçme, është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e shpronësime, Pëllumb Abeshi. SPAK ekzekutoi 9 urdhër arrestet e lëshuara për hetimin që lidhet me inceneratorin e Fierit.
Ndërkohë u lëshuan edhe 5 urdhër-arreste të reja për dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Nga 9 urdhër arrestet, 7 ishin masa sigurie 'arrest me burg' dhe 2 në arrest shtëpie. Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit, dhe Klodian Zoto, pronari i kompanisë që administron Inceneratorin e Fierit, kanë marrë masën e dytë ‘arrest me burg’, ndërkohë që 7 të tjerë akuzohen zyrtarisht nga Prokuroria për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Sigurisht qe do ti shkohet deri ne fund por kokat jane ne LSI, kot nuk thone parti hajdutesh....
Përgjigju