GREQI- Policia greke ka dalë zyrtarisht në deklaratë për shtyp sot (28 Janar) pas arrestimit të 2 shqiptarëve të dyshuar si vrasës me pagesë dhe autorë të vrasjes së 47-vjeçarit Irakli Davella dhe plagosjes së 46-vjecarit Edi Lulo, alias Etmond Hysa, në 15 dhjetor 2024, në Thermomakedones të Athinës.
Zyrtarisht policia greke ka pranuar se në ngjarjen e rëndë mbeti i plagosur edhe një shtetas i tretë, po shqiptar.
Sipas policisë, operacioni i djeshëm është zhvilluar në “Peristeri” dhe “Nea Smyrni” të Athinës, duke çuar në arrestimin e shtetasve Jenis Tulja, 44 vjeç, nga Tirana dhe Mirjan Guveli, 45 vjeç, nga Saranda. Ata akuzohen për veprat penale “organizatë kriminale”, “vrasje”, “armëmbajtje pa leje”, “falsifikim” dhe “mbajtje lëndësh narkotike”.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate%20shqiptarja.png)
Sipas policisë, mesditën e së dielës 15 dhjetor 2024, të dyshuarit u janë afruar 3 persona të cilët kanë qenë në këmbë dhe kanë qëlluar në drejtim të tyre, me pasojë vdekjen e 47-vjeçari Irakli Davella nga fshati Mesopotam i Finiqit dhe plagosjen e 2 të tjerëve, njëri i identifikuar si 46-vjecari Edi Lulo alias Etmond Hysa nga Puka, ndërsa më pas me një automjet janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Nga mbledhja dhe vlerësimi i mëvonshëm i informacionit dhe nga i gjithë materiali parahetimor i grumbulluar, u gjet mjeti i përdorur gjatë ngjarjes, i parkuar në zonën e “Nea Smyrni”.
Siç ka rezultuar, të dyshuarit kanë përdorur gjithsej 4 mjete për kryerjen e krimit, duke lëvizur në mënyrë zinxhir nga njëri në tjetrin, për të shmangur identifikimin dhe zbulimin.
Për të shmangur zbulimin, autorët i kanë ndryshuar targat e automjetit që përdornin për t'iu afruar viktimave, e kanë parkuar vazhdimisht në vende të ndryshme dhe i janë afruar rregullisht për qëllime vëzhgimi, duke mbajtur një profil të ulët, duke mos treguar identitetin e tyre real në kontratën e qirasë.
Nga kontrollet e kryera në banesat e tyre gjatë arrestimit, janë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri “Kallashnikov”, 1 armë zjarri “Scorpions”, 2 jelekë antiplumb, 118 fishekë, 6 krehëra, 3 silenciatorë, pranga, 3 thika, pajisje TASER, pajisje portative GPS, 6 gramë marijuanë, celularë dhe karta SIM, 1 dron, dylbi, 5 automjete, çelësi automjeti dhe 79.500 euro.
Komente
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)