Nga sot deri më 25 tetor, Dhoma e Avokatisë do të hyjë në bojkot në shenjë proteste për arrestimin e avokatit Ulian Barjami dy ditë më parë me akuzën se ka kanosur për shkak të detyrës prokurorin Gjergj Ceka gjatë një seance në gjykatën e Elbasanit. 

Arrestimi i tij erdhi pas përplasjes tre ditë më parë gjatë seancës për konfirmimin e masave të sigurisë për 14 personat e arrestuar më 13 tetor në një lokal në Elbasan, mes të cilëve edhe Maksim Suçi, që mbrohej nga avokati Barjami.

Bojkoti do të prekë të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë edhe Kushtetuesen, ndërsa përjashtohen vetëm seancat që kanë si objekt caktimi, ndryshimi, zëvendësimi apo shuarje të masave të sigurisë. Në reagimin e një ditë më parë, Dhoma e Avokatisë kërkoi gjithashtu shqyrtimin urgjent të çështjes nga ILD, KLGJ DHE KLP.  

Avokati u vu në pranga pas kallëzimit të bërë nga prokurori Ceka se ishte kërcënuar në seancë. Në audion e siguruar nga Report TV, të publikuar një ditë më parë, dëgjohej avokati teksa hodhi akuza për manipulim provash ndërsa iu drejtua prokurorit duke i thënë se do të merret personalisht me të dhe me oficerët e Policisë Gjyqësore dhe se do të bënte kallëzim pasi konstatonte elementë të veprës penale. Kjo deklaratë u mor si kërcënim nga prokurori dhe bëri kallëzim në polici. Avokati akuzohej për “Kanosja për shkak të detyrës”, “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”.

Një ditë më parë edhe Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë dënoi arrestimin e avokatit, teksa tha se ai u vu në pranga vetëm se i komunikoi prokurorit synimin për të bërë kallëzim penal.