Arrestimi i Moisi Habilajt me kokainë me vlerë 20 milionë euro në Itali, ka sjellë edhe reagimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Deputeti i kësaj force politike, Endrit Braimllari, përmes një statusi në Facebook, hedh akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri për lidhje me trafikantin.

Sipas tij, kjo është një provë e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar. “Pse hesht kryeministri pas arrestimit të Habilaj. Policia italiane raporton për shkatërrimin e një grupi të strukturuar që merret me trafikun e lëndëve narkotike dhe armëve. Ndër të arrestuarit është dhe një i afërm i ish-ministrit të Brendshëm, besnik i Edi Ramës. Gjithë shqiptarët i kanë të freskëta fotot e Habilaj me drejtorët e Policisë së Vlorës. Kjo është prova e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar. Ishin këto grupe të strukturuara kriminale që me paratë e krimit dhe pjesëmarrjen e tyre deformuan vullnetin e shqiptarëve. Krimi i organizuar e mban peng kryeministrin. Ai nuk ndahet dot nga këto grupe kriminale sepse është i zhytur kokë e këmbë. Kjo është lidhja e Rilindjes me krimin e organizuar”, thuhet në reagimin e Braimllarit të LSI.

Arrestimi i Moisi Habilajt në Itali, personi që sipas mediave italiane ishte kreu i një bande të trafikut të drogës, ngjalli reagim politik në vend, e të shumtë ishin ata që e lidhën emrin e tij me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com