Morali fake i gazetarëve inkuizitorë që janë opozitarë në Tiranë dhe qeveritarë në Prishtinë

Morali fake i gazetarëve inkuizitorë që janë opozitarë në Tiranë dhe qeveritarë në Prishtinë

Adi Krasta

Debati që shpërtheu në Kosovë rreth lajmeve të rreme të prodhuara nga një portal boshnjak dhe të transmetuar nga RTK, nxjerr në pah edhe një herë raportin mes medias, së vërtetës dhe pushtetit politik. Sipas portalit boshnjak ''Slobodna Bosna'', dy media kosovare online (përkatësisht në pronësi të gazetarëve Berat Buzhala dhe Ilir Mirena, zakonisht kritikues ndaj Albin Kurtit) financohen nga Beogradi. Një akuzë shumë e rëndë për një vend që ka ende një plagë tragjike të hapur me Serbinë dhe shumë llogari që ende nuk janë mbyllur. Lajmi pa asnjë verifikim është publikuar menjëherë nga RTK, televizioni publik i Kosovës, i cili është shumë afër, apo thuajse kontrollohet tërësisht nga kryeministri Albin Kurti. Një hakmarrje e qartë politiko-mediatike ndaj dy portaleve opozitare.

ZV/Drejtori i përgjithshëm i RTK-së që e mbështeti këtë shpifje është gazetari Adi Krasta i cili për çudi është punësuar si gazetar i Qeverisë në Prishtinë dhe si gazetar i Opozitës në Tiranë. Në të dyja rastet (siç e vertetoi këtë herë në Prishtinë dhe shumë herë të tjera në Tiranë) Krasta nuk tregon siklet në përdorimin e lajmeve të rreme për t'i shërbyer shefit që e punësoi, dhe gati për të sulmuar kolegët dhe kundërshtarët politikë.

Mësimi i parë që vjen nga Prishtina, pra, ka të bëjë me moralin mediokër të këtyre inkuizitorëve mediatikë, të cilët sillen si engjëj kur janë në opozitë (vetëm pse janë në opozitë) por janë të gatshëm të bëhen djaj sapo të vijnë në pushtet. Krasta i bën të dyja, dhe i duhet vetëm sa të kalojë kufirin: në Prishtinë botuesi-qeveritar i Krastës është Albin Kurti, në Tiranë botuesi-opozitar është Sali Berisha. Për këtë lloj "gazetarësh" gënjeshtra pa pyetje të kryqëzuara, ndryshe nga çdo gazetar tjetër vërtet epavarur, nuk është krim profesional, është rregull.

Mësimi i dytë nga Prishtina është se si reaguan gazetarët e tjerë në vend ndaj sulmit ndaj Berat Buxhalës dhe Ilir Mirenës. Nëse përjashtojmë Krastën dhe disa të tjerë, pjesa më e madhe e botës mediatike por edhe e botës politike u rebeluan kundër asaj shpifjeje flagrante, e cila synonte të hidhte dyshime mbi besueshmërinë e dy mediave kritike ndaj qeverisë. Edhe tre anëtarë të bordit të RTK-së dhanë dorëheqje. Pikërisht e kundërta e asaj që ndodh në Shqipëri ku sulmet shpifëse të ndërmarra nga një organ partie kundër medias nuk shkaktojnë asnjë reagim dhe asnjë solidaritet. Ndryshe nga Kosova ku Kurti me sa duket zgjodhi të përdorë RTK-në për të sulmuar kundërshtarët e tij politikë, në Shqipëri është opozita ajo që përdor këtë metodë staliniste kundër mediave: në pamundësi për ta përdorur RTSH-në (sikurse kur ishte në pushtet), Berisha prej vitesh po përdor televizionin e tij Syri për të sulmuar ata pak gazetarë që e kritikojnë. Një operacion i mjerë në të cilin kontribuon edhe Adi Krasta, duke drejtuar programin e tij ''moralisto-stalinist'' në Syri TV, ku interviston njerëz të lidhur me Berishë i gjunjëzuar përballë tyre, pa pikë dinjiteti apo pavarësie kritike, dhe duke lejuar të shpifin pafundësisht ndaj çdo kundërshtari pa asnjë oponencë. 

Natyrisht, nuk është vetëm Adi Krasta skandali i këtij sistemi, por standardi i dyfishtë që këtu në Shqipëri, përveç politikanëve, përdoret edhe nga gazetarët, të cilët janë shkaku kryesor i degjenerimit të plotë të botës së informacionit. Dhe nuk është rastësi që në Shqipëri, politikanët dhe gazetarët, janë të fundit në listën e burimeve të konsideruara të besueshme nga opinioni publik.

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Në mediat e Kosovës që kontrollon VV, mund të kritikosh më lehtë Zotin, por jo Albin Kurtin

Spahiu: Në mediat e Kosovës që kontrollon VV, mund të kritikosh më lehtë Zotin, por jo Albin Kurtin