Haradinaj u ndalua një ditë më parë në aeroportin ndërkombëtar Bazel-Mulhouse, ndërsa u shoqërua për në stacionin policor të aeroportit, deri në marrjen e vendimit nga gjykata franceze.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar skandaloze ndalimin e Haradinajt, ndërsa kritikon edhe Bashkimin Europian, të cilët sipas tij ende nuk kanë pastruar sistemin kompjuterik nga urdhërarrestet serbe.
"Ndalimi i Haradinajt një absurditet! E pabesueshme që urdhër-arrestet e Serbisë s'janë fshirë ende nga kompiuterat e BE-së #Skandaloze", shkruan Rama në rrjetet sociale.

(Postimi i Kryeministrit në rrjetet sociale)
Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ka dënuar ndalimin e Haradinajt nga autoritetet franceze. Ai është i drejtpërdrejtë në reagimin e tij kur i kërkon Francës lirimin e menjëhershëm të ish-kryeministrit të Kosovës.
Sipas Bushatit, kreu i AAK-së është shpallur i pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare për të gjitha akuzat e serbëve.
“Ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë bazuar në një urdhër arresti të 2004 të lëshuar nga Serbia, është i dënueshëm, kur dihet botërisht se drejtësia ndërkombëtare e ka çliruar atë nga të gjitha akuzat. I bëj thirrje autoriteteve franceze, si një prej shteteve me kontribut thelbësor për Kosovën shtet, të qartësojnë situatën duke liruar menjëherë Ramush Haradinajn.
Çdo përpjekje e Serbisë për të përbaltur luftën çlirimtare të Kosovës do të dështoj sikurse dështuan politikat genocidiste të Millosheviçit në Kosovë, të cilave Ramushi dhe UÇK-ja ju kundërvunë. Ky akt për fat të keq dëmton procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Proces, i cili kërkon gjurmë provash të pakundërshtueshme, e jo përbetime artificiale, për të ecur me vendosmëri përpara, duke hequr dorë nga provokimet dhe aplikimi i metodave që s’kanë aspak lidhje me të ardhmen e përbashkët të Kosovës e Serbisë në familjen europiane”, ka deklaruar Bushati.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ka kërkuar Francës të sqarojë pozicionin dhe të qartësojë rrethanat absurde të ndalimit të kryetarit të AAK-së.
Meta thekson se ky veprim është i pakuptimtë, i paparanueshëm dhe nuk ndihmon frymën e dialogut dhe bashkëpunimit të deritanishëm mes Prishtinës dhe Beogradit.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com
