Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, zhvilloi një takim me kreun e Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, në ambientet e SPAK. Burime nga policia pohojnë se takimi  pati në fokus bashkëpunimin dhe diskutimin mbi ngjarjet e fundit, përfshirë edhe arrestimin e ish-deputetit Alqi Bllako. Ky i fundit doli sot para GJKKO, ku do u la në burg.

Fokus diskutimi është edhe ngjarja e datës 29 mars në Papër të Elbasanit, Ku Nuredin Dumani tentoi t'i bënte atentat Talo Çelës, por mbeti vetë i plagosur. Në takim është diskutuar edhe mbi pistat e hetimit për ngjarjen, personat e dyshuar të përfshirë në atentat e më gjerë.

Për arrestimin e Bllakos u raportua të enjten, megjithatë ngjarja u mbulua nga një mister. Të gjithë kaosin e krijuar, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Posaçme, u munduan ta qartësojnë dje me dy njoftime zyrtare, disi kontradiktore, duke lënë sërish pikëpyetje mbi arrestimin e ish-deputetit Alqi Bllako, të vënë në akuzë për aferën e inceneratorit të Fierit. 

Policia e Shtetit tha se Alqi Bllako është vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës që prej mbrëmjes së të enjtes, duke hedhur poshtë çdo pretendim që u ngrit nga mungesa e informacionit zyrtar, se ish-deputeti mund të ishte arratisur. Por SPAK në një deklaratë tha se masa e “arrestit me burg” që GJKKO caktoi të enjten pas dreke, është ekezkutuar nga policia në orën 03:30 të mëngjesit të 1 prillit. Në mesin e këtyre pikëpyetje që njoftimet zyrtare lënë, Report Tv mësoi dje përmes burimeve konfidenciale, se Bllako është paraqitur i vetëm në drejtorinë e policisë pak para mesnate, dhe më vonë ka shkuar edhe avokati, Sokol Hazizaj. Shkresat zyrtare për ekzekutimin e vendimit të gjykatës janë mbyllur në orët e para të mëngjesit.

Ndërkohë Nuredin Dumanit iu dha dje  masa 'arrest me burg'. Dumanit iu komunikua masa në spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr mjekim, pasi mbeti i plagosur në përplasjen me armë zjarri që pati me Talo Çelën në Papër të Elbasanit. Dumani u vu në pranga para dy ditësh vetëm pak orë pasi ishte plagosur pas përplasjes me armë që pati me Talo Çelën në Papër të Elbasanit. Pas atentatit ai u plagos dhe u strehua në Fier, por që u kap nga policia.