GJKKO la në fuqi këtë të enjte masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra për drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Vetëm pak orë pas këtij vendimi burime për Report Tv bëjnë me dije se Presidenti Bajram Begaj pritet të mbledhë javën e ardhshme Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Sipas të njëjtave burimeve po përgatiten njoftimet për anëtarët e Këshillit të Sigurimit.

Hyseni akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. SPAK gjeti 9 faqe dokumente sekrete të SHISH në makinën e Ergys Agasit, i arrestuar për aferën e AKSHI-t, të cilat dyshon se ia ka vënë në dispozicion Hyseni.

Kjo e fundit ishte pyetur më 18 shtator nga SPAK, jo për herë të parë, si person në dijeni për lidhjet me biznesmenin, por ka pretenduar se komunikimet mes tyre ishin në kuadër të bashkëpunimit të tij si informator i SHISH.

Në komunikimet e zbuluara nga SPAK dhe të raportuara nga Report Tv, gjenden mbi 500 komunikime mes Hysenit dhe Agasit, ku sipas Prokurorisë, biznesmeni diktonte dhe merrte informacionin që i duhej, informohej për takime sensitive, si dhe shkëmbenin foto e video.