Ka disa ditë që po përdoret një argument, sipas të cilit, kandidati për bashkinë e Tiranës duhet të dalë nga protesta e flamingove dhe më pas e maskave që dogji Tiranën.

Kjo është një tezë boshe, një tezë pa sens dhe një tezë apolitike. Protesta e flamingove e derivatet e saj, nuk ishin një protestë tiranase, përkundrazi, nisën për Zvërnecin e u shtrinë në një fushë politike të madhe, madje më të madhe se politika shqiptare.

Revolucioni i Flamingove, nuk ishte një lëvizje politike, por një aksion irruptive për të rrëzuar Edi Ramën.

Mos arritja e këtij objektivi nuk e kthen këtë aksion në një lëvizje politike, pasi nëse ajo nis duhet e do të ketë një proces. Proces i cili nuk ka lidhje për Tiranën. Pasi asnjë ditë protesta nuk ka folur për Tiranën. Përkundrazi: ka folur për Lindjen e Mesme, Azinë e Vogël, hebrenjtë, Shtetet e Bashkuara e aspak aspektin e jetës urbane në Tiranë.

Ata që thonë se kandidatin e Tiranës duhet ta nxjerrë protesta, e bëjnë sepse nuk kanë lidhje politike, e kërkojnë një ganxhë ku të ngulen.

Pasi në fakt, beteja e Tiranës është krejt tjetër. Është politike, madje politikë e nivelit të lartë.

Sepse Tirana nuk është vetëm territori me numrin më të madh të zgjedhësve, por është edhe zona ku përfshihet një projekt politik i mazhorancës së Edi Ramës. Modeli i një metropoli që zhvillohet në mënyrë ekcentrike në një plan të fortë ndërtimesh biznesi. Me një fjalë kemi të bëjmë me një model politik.

I cili këto vite ka pasur mjaft kritika si një plan që e ka prishur qytetin e vjetër, si një plan që e ka trazuar jetën e tiranasve, si një plan që ka sjellë një situatë që njerëzit nuk e pëlqejnë.

Fabul mjaft e diskutueshme, pasi janë pronarët që japin terrenet e tyre për tu zhvilliar, ngase pjesa më e madhe është pronë private. Gjithsesi, ky model që është sot Tirana, pra një metropol frenetik e vibrant, kërkon apo mund të ketë një model nëse ka alternativ sesi e duan, Fakt është, se te çerpiçi e lagjet e vjetra nuk ka kthim pas, ngaqë kryeqyteti është në një fazë tjetër.

Pikërisht këtu ja vlen të bëhet diskutimi, debati, qoftë edhe në nivelin normal pa e ngritur akademikisht. Ndërtimet në qendër, zhvillimet në periferi, agresifiteti i fshatrave turistikë etj. Tirana ka ndryshuar totalisht, qendra është zona ku ka më shumë banesa me qera ditore e popullsia në shumicë banon në periferitë e saj, gjeopolitika elektorale ka pësuar një ndryshim thelbësor.

Partitë, grupet apo edhe lëvizjet që kanë qenë protagonistë në politikën e kryeqytetit, natyrshëm mund të vijnë për vizionin që kanë për Tiranën.

Po protesta që flasin prej muash nuk ka asnjë lidhje me Tiranën, pasi objektivi i saj ishte rrëzimi i Edi Ramës dhe i qeverisë së tij. Nëse këtë nuk e ka arritur, atëherë pse ka të drejtën morale kjo protest që të rihyjë në politikë kur ka dështuar? Përkundrazi, duhet të tërhiqet e të reflektojë për këtë dështim, madje me një internim të gjatë sepse ka përdorur edhe mjete jo demokratike si dhuna e djegia e Tiranës.

Fushata për kreun e bashkisë është politike, e nuk pranon që të dalin në skenë kandidatë të atyre që dogjën qytetin.