Ish-efektivit të RENEA-, Remal Radës, i cili u arrestua një ditë më parë nga policia e Tiranës, i janë gjetur dhe armë të tjera në një banesë që kishte marrë me qira në zonën e Selitës së Vogël. Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti dhe sekuestroi, një armë zjarri pistoletë, 13 pajisje të ndryshme fiksuese dhe shtrënguese si ato të armëve, municion luftarak, këllëf pistolete, 2 radio Policie, një aparaturë valësh, dy elektrikë dore, njëri prej tyre me mbishkrimin “Policia”, 4 thika, targa shqiptare dhe të huaja, jelek multifunksional me mbishkrimin "RENEA", shënjestër optike, 15 aparate celulare dhe sende të tjera.

Bashkë me Remal Radën u arrestua edhe 28-vjeçari Elton Hithi. Ish-efektivi i RENEA-s u kap mbrëmjen e 25 korrikut në Tiranë, ndërsa me mjetin që po lëvizte kishte një seri armësh. Report Tv mësoi ekskluzivisht se Rada në makinë kishte edhe një snajper, të modifikuar për qitje në distancë deri në 2 mijë metra. Rada mësohet se ishte larguar nga puna tek RENEA në pranverën e këtij viti, ndërsa nuk kishte shumë që ishte kthyer nga Anglia. 

Pas arrestimit, policia një ditë më parë, sekuestroi 1 armë zjarri snajper, 1 armë zjarri pistoletë, një karikator arme automatike, 2 krehra pistolete, një sasi municioni luftarak, dy palë dylbi nate terminale dhe një dokument policie.  

Armët, thanë burimet, u dërguan në laboratorin e Policisë Shkencore, me dyshimet se mund të jenë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të muajve të fundit dhe pritet ekspertiza përfundimtare. Hetuesit dyshojnë se Remal Rada e Elton Hithi, të kenë qenë duke përgatitur një vrasje, por deklarimet e të arrestuarve nuk i kanë ndihmuar në këtë pikë. Burime i thanë Report Tv se fillimisht Rada ka pretenduar se çantën ia ka dhënë një person i tretë, por më tej e ka tërhequr qëndrimin.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.