TIRANË- Pas arrestimit të mjekut Fitim Marku, Shoqata e Anestezistëve dhe Reanimatorëve të Shqipërisë bërë një reagim, duke thënë se çdokush që shkel ligjin do duhet të dënohet, por thotë se pamje të atij operacionit nuk kanë qenë aspak të drejta. Në reagimin e tyre, kjo shoqatë thotë se nuk e kemi parë në operacion të tillë as në momentet e kapjes së një krimineli të madh,  për rrjedhojë e konsiderojnë të gabuar, duke theksuar se mjeku do ishte paraqitur vetë me një fletëthirrje në organet kompetentë.

“Shoqata e Anestezistëve dhe Reanimatorëve të Shqipërisë po ndjek me shumë vëmendje rastin e ndalimit të kolegut tonë anestezist në Spitalin e Traumës, Fitim Marku. Ndërkohë që mbështesim cdo veprim të organeve ligjzbatuese për hetimin dhe ndëshkimin e cdo shkeljeje të kryer nga kushdo gjatë ushtrimit te detyrës, shprehim shqetësimin tonë për mënyrën denigruese të ndalimit të mjekut. Pamje të tilla, të bëra publike, ku mjeku me uniformë shoqërohet nga policë të maskuar nuk i shërbejnë askujt që kërkon me të vërtetë përmirësimin e shërbimit shëndetësor në vend. Vlen të kujtojmë se operacione të tilla, të organizuara me kaq bujë mediatike, nuk i kemi parë as në rastet e ndalimit të kriminelëve të rrezikshëm apo zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion të përmasave të mëdha! Jemi të sigurt që kolegu mjek do të ishte paraqitur pranë organeve përkatëse edhe me një fletëthirrje të thjeshtë. Të mos harrojmë as vijën shumë të hollë që ndan simulimin gjatë hetimit dhe provokimin, gjë që ata që organizojnë operacione të tilla e dinë shumë mirë. Urojmë që kolegu të provojë pastërtinë e figurës së tij, nëpërmjet një procesi të drejtë ligjor”, thuhet në reagimin e tyre.

Mjeku reanimator, Fitim Marku u arrestua mbrëmjen e djeshme pas denoncimeve të qytetarëve për marrje ryshfeti. Ai mori 20 mijë lekë nga një agjent i infiltruar, duke përfunduar në pranga së bashku me infermieren dhe një mjek tjetër. Nga hetimet e kryera deri më tani, rezultonte se këto persona, merrnin shuma të konsiderueshme parash nga pacientë të ndrydhëm për kryerjen e skanerave pranë Spitalit të Traumës në Tiranë.