Mësohet se në datën 27 maj 2013 është zhvilluar tenderi ndërkohë që në 10 qershor 2013 është bërë shpallja e fituesve “kompanitë Everest” sh.p.k., me ofertë 72.149.030 Lekë dhe “Bean” sh.p.k., me ofertë 74.803.985 janë kualifikuar, ndërsa kompania “Gjoka Konstruksion” sh.a.,me ofertë 60.047.550 Lekë dhe “Kacdedja” sh.p.k., me ofertë 80.883.520 Lekë janë skualifikuar. Nisur nga kjo situatë e vetmja kompani që ka bërë ankimim në Komisionin e Prokurimit Publik, lidhur me mënyrën e zhvillimit të tenderit ka qënë kompania “Gjoka Konstruksion”, e administratorit Rrok Gjoka.
Pas ankesës së bërë ka qënë KPP-ja që në datën 1 gusht 2013 ka vendosur të rrëzojë poshtë vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në bashkinë e Kamzës dhe tia japë tenderin kompanisë “Gjoka Konstruksion”, e cila kishte paraqitur dhe ofertën më të ulët.Mirëpo edhe pas këtij vendimi gjithçka kishte marrë fund, pasi një pjesë të punimeve në teren i kishte kryer kompania që ishte paracaktuar nga Xhelal Mziu.
Shkaqet e largimit
Në ankesën e saj kompania “Gjoka Konstruksion”, ka nënvizuar dy shkaqet e përjashtimit nga tenderi. E para sipas saj lidhet për pajisjen me vërtetim nga vetë Bashkia Kamëz, e cila nuk i është përgjigjur kërkesës të bërë nga shoqëria për pajisje me vërtetim. Me anë të kërkeses së saj Nr 48 Prot. datë 16.05.2013 punonjësi i shoqërisë është paraqitur në sportelet e Bashkisë Kamëz ku punonjësit e sportelit pasi kanë komunikuar me shefat e tyre kanë refuzuar ta marrin kërkesën, pas kësaj shoqëria me postë ka kërkuar paisjen me vërtetim, por përsëri Bashkia Kamëz nuk ka kthyer përgjigje, (kërkesa më postë është bërë me njoftim lajmrimi gjë që vërteton se kërkesa është marrë nga Bashkia Kamëz). Pra mospajisja me vërtetim është e qëllimshme nga Bashkia Kamëz për të përjashtuar subjektet jo të preferuara nga tenderuesi. Sipas komisionit provohet edhe nga rasti konkret, në të cilin, në mënyrë të pajustifikuar, autoriteti kontraktor nuk e ka pajisur operatorin ekonomik ankimues “Gjoka Konstruksion” sh.a. me këtë vërtetim.
Motivi i dytë
Ndërsa shkaku i dytë lidhet me mjetin me targë TR 9151 K i cili është marrë me qira sipas kontratës të qerasë NR 9626 Rep, Nr 1183 Kol, sipas komisjonit të vlerësimit të tenderit është kamion transporti dhe jo autovinç. “Ju sqarojmë se në lejen e qarkullimit të mjetit shprehet qartë rubrika 6, ku shkruhet F 8 (jo F 1 që është emërtimi i mjeteve të transportit) se ky mjet është i pajisur me vinç, për këtë verifikoni mjetin ose kërkoni informacion nga D.P.SH.T. Rr. për këtë mjet”-thuhej në ankesën e kompanisë “Gjoka Konstruksion” të depozituar në Komisionin e Prokurimit Publik.

Shkrimi u publikua sot (21.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)
