Tenderi për supervizimin e rikonstruksionit të disa qendrave shëndetësore në qarqet Tiranë dhe Durrës çoi në pranga, me urdhër të SPAK, Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro dhe specialisten e Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, Laura Shtetën, një ditë më parë (2 qershor 2023).

SPAK bën me dije se me metoda speciale hetime, të cilat përfshijnë edhe përgjimet e personave të dyshuar, u siguruan prova përmes të cilave evidentuan se një kompani do të jepte rryshfet 330 mijë lekë me qëllim që të ishte fituesja në procedurën e prokurimit të tenderit nga Ministria e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale në cilësinë e Autoritetit Kontraktor dhe titullar ishte Joana Duro. Ofertat e tenderit fondi limit i të cilit ishte 805 mijë lekë dorëzoheshin deri në 22 maj.

Sipas SPAK rryshfeti i është dhënë Joana Duros nga Laura Shteto, specialiste e Nivelit të Lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara.

“Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore, u krijuan dyshime se shtetësja J. D., me detyrë Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale ka marrë një përfitim të parregullt në shumën prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë, për të favorizuar një Operator Ekonomik. Këto vlera monetare u dhanë nga shtetësja L. Sh., me detyrë Specialiste e Nivelit të Lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara” shkruhet në njoftimin e SPAK të shpërndarë sot, një ditë pas arrestimit në flagrancë të dy zyrtareve.

Paratë në zyrën e sekretares

SPAK thotë se shuma 330 mijë lekë, që përbën përfitimin e parregullt nga Laura Shteto është gjetur në zyrën e Sekretares së Përgjithshme.

Gjithashtu në zyrën Sekretares së Përgjithshme u bë e mundur edhe sekuestrimi në cilësinë e proves materiale të shumës prej 330 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë (shumë e cila përbën përftimin e parregullt të dhënë nga shtetësja L. Sh.), vijon njoftimi i SPAK.

Dy zyrtaret e arrestuara më 2 qershor 2023 akuzohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga nenet 260 dhe 245 të Kodit Penal.

Kompania fituese që ka fituar tenderin e ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është ‘DRICONS’ në pronësi të Vladimir Topit. Në agjencinë e prokurimit publik shihet se përkundër vlerës prej 805.872.23 lekë të vendosur si fond limit nga ministria, kompania fituese ka ofruar 672.457.60 lekë. Ndërkohë që SPAK nuk ka dhënë detaje të mëtejshme lidhur me hetimet. 

Tenderi me 4 lote

Tenderi ka të bëjë me supervizimin për rikonstruksionin e qendrave shëndetësore për vitin 2023 dhe 2024 me fond limit 4,115,854.86 (katër milion e njëqind e pesëmbëdhjetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e katër.86) Lekë pa TVSH e ndarë në 4 lote.

Kompania që ka dhënë rryshfetin synonte të fitonte lotin e parë të tenderit me fond limit 800 mijë lekë. Afati i fundit për paraqitjen e ofertave ishte 22 maj 2022 dhe punimet do të kryheshin brenda 172 ditë nga firmosja e kontratës.

Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa QSH- ve në qarqet Tiranë dhe Durrës” me fond limit 805,872.23 (tetëqind e pesë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy.23) lekë pa TVSH;

Lot.2 “Supervizim për rikonstruksionin e disa QSH- ve në qarqet Berat, Korçë dhe Elbasan” me fond limit 1,010,499.48 (një milion e dhjetë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e nëntë.48) lekë pa TVSH;

Lot.3 “Supervizim për rikonstruksionin e disa QSH- ve në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Dibër” me fond limit 1,271,793.50 (një milion e dyqind e shtatëdhjetë e një mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tre.50) lekë pa TVSH;

Lot.4 “Supervizim për rikonstruksionin e disa QSH- ve në qarqet Gjirokastër, Vlorë dhe Fier” me fond limit 1,027,689.65 (një milion e njëzet e shtatë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntë.65) lekë pa TVSH.

Reagimi i Ramës

Për arrestimin e saj reagoi dje dhe kryeminsitri Edi Rama.

“Një sekretare e përgjithshme kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo? Ana e pëlqyeshme e kësaj medalje është që kapet një person që është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti. Uroj të ketë sa më shumë të tilla, por s’mund të uroj që sa më shumë të tillë njerëz të bëjnë gjëra të tilla. Është realisht diçka e rëndë", tha Rama dje në takimin e turit të falenderimit në Tiranë

1685805479_joanaduro.jpg

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:58
Arrestimi i Sekretares së Përgjithshme, zbulohet kompania që fitoi tenderin e ministrisë së Shëndetësisë

‘DRICONS’ është kompania që ka fituar tenderin për supervizimin e rikonstruksionit të disa qendrave shëndetësore në qarqet Tiranë dhe Durrës.

Në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik rezulton që ‘DRICON’, kompani me objekt veprimtarie ‘mbikëqyrjen dhe studimin e fizibilitetit dhe rikonstruksione’ në pronësi të Vladimir Topit ka ofruar shumën 672.457.60 lekëve për tenderin përkundër fondit limit të përcaktuar në 805.872.23 lekë.

Pra vihet re se shuma e ofruar nga kompania ‘DRICONS’ është më e ulët se fondi limit. 

Për tenderin kanë konkurruar edhe 7 kompani të tjera. Shifra më e ulët e ofruar është ajo e ‘NOVATECH STUDIO’ ndërsa më e larta e 'TAULANT'.

OA NOVATECH STUDIO ka ofruar 638.068.39 lekë

OE NET GROUP ka ofruar 648.792.22 lekë

OE 4 KPPF ka ofruar 650.608.56 lekë

OE DRICONS ka ofruar 672.457.60 lekë

OE HYDRO-ENG-CONSULTING ka ofruar 701.750.30 lekë

OE S&L STUDIO ka ofruar 703.511.18 lekë

OE REAN 95 ka ofruar 714.462.42 lekë

OE TAULANT ka ofruar 754.830.14 lekë

Prokuroria e Posaçme është treguar e rezervuar për të mos dhënë shumë detaje të mëtejshme lidhur me hetimet për rastin e korrupsionit të zyrtares së ministrisë.

Ora 17:40
Arrestimi i zyrtares së ministrisë së Shëndetësisë për ryshfet, reagon PD: Të dorëhiqet Manastirliu, ka qenë në dijeni për rastin! SPAK ta hetojë

1680979563_SELIABLU.jpg

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar mbi arrestimin e Joana Duros sekretares së përgjithshme të ministrisë së Shëndetësisë e cila u kap në flagrancë duke marrë 330 mijë lekë ryshfet nga një kompani për të fituar tenderin e supervizimit të ndërtimeve në qendra shëndetësore të Tiranës dhe Durrësit.

Në reagimin e bërë grupi parlamentar i PD ka dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu. Më tej në deklaratë thuhet se heshtja e Manastirliut tregon se ky nuk është një rast i izoluar dhe se SPAK duhet të hetojë edhe ministren.

Deklarata e plotë e grupit parlamentar të PD:

Korrupsioni sistematik në Ministrinë e Shëndetësisë nuk mund të kalojë në heshtje dhe nuk mund të kalojë pa përgjegjësi politike. Arrestimi në flagrancë i zyrtares më të lartë publike të Ministrisë së Shëndetësisë provon sesa i përhapur është korrupsioni në qeverinë e Edi Ramës.

3 vite më parë, në kulmin e pandemisë, PD provoi me dokumenta zyrtarë se Ministria e Shëndetësisë i përdori tenderat sekretë për të vjedhur qytetarët. Pajisjet dhe medikamentet antiCovid u blenë 3-5 herë më shtrenjtë, por Ministrja e Shëndetësisë refuzoi të mbajë përgjegjësi politike. Po ashtu, SPAK-u nuk i shërbeu interesit publik me hetimin gjysmak.

Sot është koha që SPAK të mos bëhet sërish mburojë e korrupsionit të nivelit më të lartë politik në Ministrinë e Shëndetësisë. Ogerta Manastirliu nuk mund të bëjë sikur nuk e di çfarë ndodh me tenderat në Ministrinë e saj. Edhe shqiptari më i painteresuar për këto punë, e di që ministri ka dijeni dhe vendos për fatin e një tenderi. Zotërinj të SPAK-ut, mos bëni sikur nuk e dini këtë! Hetoni edhe Ogerta Manastirliun!

Heshtja prej 24 orësh e Ministres së Shëndetësisë dhe mosdistancimi i saj prej veprimeve korruptive të bashkëpunëtorëve të saj më të afërt, dëshmojnë se korrupsioni i Sekretares së Përgjithshme nuk është një rast i izoluar. Ogerta Manastirliu në Ministrinë e Shëndetësisë është pjesë dhe i shërben një sistemi të kalbur nga korrupsioni.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, duke mbështetur dhe inkurajuar drejtësinë të zbardhë të plotë skemën korruptive me tendarat në shëndetësi, kërkojmë dorëheqjen e Ministres Ogerta Manastirliu, si përgjegjësja kryesore politike e korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe për ti hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm.

Ora 17:20
FOTO EKSKLUZIVE/ Kjo është sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë e arrestuar me urdhër të SPAK për ryshfet

1685805479_joanaduro.jpg

Kjo është Joana Duro, sekretarja e përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që u arrestua me urdhër të SPAK pasi u kap në flagrancë duke marrë 4 milionë lekë ryshfet.

Kujtojmë se gjatë fushatës zgjedhore, KQZ e gjobiti me 3000 lekë për shpërndarje të postimeve elektorale në faqen e Facebook të Ministrisë së Shëndetësisë.  

Ora 13:39
Dhanë 330 mijë lekë për të fituar 800 mijë, zbulohet fondi limit i tenderit që çoi në pranga sekretaren e përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë

 

Zbulohet sa ishte fondi limit i tenderit që kompania synonte të fitonte duke dhënë rryshfet shumën prej 330 mijë lekëve sekretares së përgjithshme të ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro.

Lot.1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa QSH- ve në qarqet Tiranë dhe Durrës” ishte me fond limit 805,872.23 (tetëqind e pesë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy.23) lekë pa TVSH, mëson Report TV. 

Me urdhër të SPAK u arrestuan dje Sekretarja e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro dhe specialisten e Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, Laura Shetën.

(Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)