Një ditë më parë, Vinçesk Piroli, 38 vjeç, u arrestua mbi dyshimet se mori pjesë në vrasjen e ish-efektivit të policisë, Frrok Lleshaj, i ekzekutuar më 4 gusht 2025 në Vaun e Dejës. Rikthimi i laçianit në qeli vjen vetëm pak ditë pasi Gjykata e Apelit, më 19 nëntor, i zëvendësoi masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Ai ishte arrestuar më 9 tetor, pasi dyshohej se në bashkëpunim me dy persona të tjerë po përgatitej të kryente një vrasje në Lezhë. Në atë kohë, paqartësia për identitetin e shënjestrës dhe rrethanat e planit të dyshuar u morën në konsideratë nga gjykata për vendimin e saj. Ndërkohë, dyshimet e policisë dhe prokurorisë për përfshirjen e tij në ngjarje të tjera kriminale dhe mundësinë e arratisjes kishin shtuar shqetësimin e hetuesve.
Report Tv mëson se dosja ndaj Pirolit dhe Ymerit është shumë më e gjerë atentati i dështuar në Lezhë dhe vrasja e Lleshaj në Vau Dejës. Prokuroria ka dyshime për përfshirjen e tyre në të paktën pesë ngjarje të rënda kriminale, të dyshuara si vrasje me pagesë. Ata dyshohet se janë autorë edhe të një vrasjeje tjetër të regjistruar po në Shkodër. Një tjetër ngjarje që po hetohet është plani për eliminimin e Erjon Tuçit në Lezhë. Sipas dyshimeve të hetuesve, ky atentat ishte porositur për motive hakmarrjeje, pas vrasjes së një shqiptari në një burg në Greqi. Për zbardhjen e aktivitetit të dyshuar të grupit, autoritetet kanë siguruar edhe një dëshmi, e cila pritet të jetë me rëndësi për dokumentimin e roleve dhe lidhjeve mes personave të dyshuar.
Në lupën e hetuesve është edhe vrasja e Artan Myrtajt, i njohur si Tani i Ruzhdiut, në Sarandë. Ai u qëllua për vdekje më 20 shtator dhe prokuroria po verifikon nëse Piroli dhe Ymeri kanë pasur ndonjë rol në këtë ekzekutim. Deri më tani, burimet bëjnë me dije se nuk ka prova të mjaftueshme për t'i konsideruar ata autorë, por pista mbetet pjesë e hetimeve.
Vinçesk Piroli, Kristian Ymeri dhe Elden Tarja u arrestuan më 9 tetor në Lezhë, teksa lëviznin me një motor të vjedhur në Suedi, të armatosur dhe të pajisur me skafandra. Sipas dyshimeve të policisë, ata ishin nisur për të kryer një atentat. Tarja, nga Barbullushi i Vaut të Dejës, dyshohet se kishte rolin e personit që do t'i ndihmonte të largoheshin pas ekzekutimit, duke i pritur me një automjet. Gjatë kontrolleve pranë banesës së tij u gjet edhe motori me të cilin dyshohet se kishin lëvizur personat e arrestuar, ndërsa brenda tij u gjetën tre pistoleta.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento