TIRANE - Ministria e Brendshme ka arrestuar dy punonjës të saj, Mustafa Meta dhe  Rudi Gaxhaj, në pikën e kontrollit kufitar të Durrësit dhe Kakavijës për korrupsion pasiv në bashkëpunim me një shofer të linjës Shqipëri - Greqi, të quajtur Nertil Sula.

Arrestimi është bërë nga SHKB-ja për falsifikim të vulave e stampave të dokumentave shtetërorë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Leonard Olli, bëri të ditur detajet: "Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brëndshme, duke vlerësuar çdo informacion të ardhur, se në PKK-të Republikës së Shqipërisë, janë konstatuar raste kalimesh të shtetasve shqiptarë, të cilëve nuk u lejohet dalja në hapësirën Shengen, pasi janë përcaktuar si deportivë apo me mungesë dokumentacionit të rregullt, fillimisht u përqëndrua në mbledhjen e të dhënave operative.

Gjatë punës hetimore, u konstatua se ky fenomen përfshinte edhe regjistrimin fiktiv të shtetasve, që nuk ndodhen aktualisht në territorin e vendit tonë, nga ana e kontrollorëve, të cilët bashkëpunonin me punonjës policie apo nënpunës të agjensive të udhëtimit dhe, të gjitha këto, në shkëmbim të përfitimeve monetare.

Bazuar në këto të dhëna, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Durrës prej 2 muajsh vijonte hetimet, duke aplikuar metodat speciale të hetimit, ku si rezultat u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i veprimtarisë së kundraligjshme të shtetasve;

Mustafa Shaqir Meta, dt 28.04.1966, me detyrën e punonjësit të policisë në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit, në PKK- Porti Durrës.

Rudi Rait Gaxhaj, dt 10.12.1972, me detyrën e kontrollorit në PKK-në Kakavijë.

Nertil Refail Sula, dt 05.05.1983, shofer në autobuzin e linjës Tiranë- Athinë, të agjensisë së udhëtimit Inter-Lines.

Më datën, 21 shkurt 2013, u krye arrestimi i të tre shtetasve të sipërpërmendur, pasi në ngarkim të tyre janë konstatuar prova të mjaftueshme se, në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë kryer elementë të figurës së krimit të “ Korrupsionit pasiv të kryer nga persona, që kryejnë funksione publike”, si edhe falsifikim të vulave, stampave ose formularëve, vepra të parashikuara në nenet 259, 190 dhe 25, të Kodit Penal.

Ministria e Brendshme", përfundoi Olli, "garanton edhe njëherë qytetarët se, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në mbështetje të objektit të punës së përcaktuar në nenin 3 germa “a” të Ligjit, “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme”, do të vijojë me përkushtim dhe rigorozitet punën për parandalimin, zbulimin dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale që kryhet nga punonjësit e Policisë së Shtetit, pavarësisht gradës apo funksionit të tyre".

Redaksia Online
(ar.sh/shqiptarja.com)