Gjatë një operacioni të koduar “Borders 5”. Policia Kufitare në veri të Shqipërisë arrestoi të dielën, një shtetas 29-vjeçar, i dyshuar për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufijve.
Sipas Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, i arrestuari, identifikuar si O. Ç., banues në Fushë-Krujë, u kap në flagrancë në fshatin Vukpalaj, duke transportuar tre emigrantë nga Sudani, të cilët synonin të kalonin kufirin me Malin e Zi.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 29-vjeçari ndihmonte emigrantë nga vendet e treta që hynin ilegalisht në Shqipëri, duke i transportuar drejt kufirit verior kundrejt një pagese prej 500 eurosh për person.
Policia bëri të ditur se i dyshuari tentoi të largohej në momentin që iu bë shenjë për ndalim, por u kap pas një ndjekjeje që zgjati disa minuta. Gjatë verifikimeve rezultoi se ai ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 7 Tiranë, për veprën penale “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”, për të cilën Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Autoritetet sekuestruan automjetin e përdorur për transportin e emigrantëve, si dhe një telefon celular. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokuroria e Shkodrës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër :
" Finalizohet operacioni policor i koduar “Borders 5”.
Vihet në pranga një 29-vjeçar që ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës prej 500 eurosh, për të kaluar kufijtë në mënyrë të paligjshme.
29-vjeçari u kap në flagrancë, në fshatin Vukpalaj, duke transportuar me automjet 3 emigrantë (nga Sudani), të cilët synonin të kalonin kufirin me Malin e Zi.
Gjithashtu, ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 7, Tiranë, për veprën penale “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për këtë vepër penale.
Sekuestrohen automjeti me të cilin ai transportonte emigrantët dhe telefoni i tij celular.
Shërbimet e Policisë Kufitare, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një rast të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufijve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Borders 5”.Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi:
-O. Ç., 29 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ndihmonte emigrantë nga vendet e treta, të cilët hynin ilegalisht në Shqipëri dhe më pas synonin të kalonin në Mal të Zi, duke i transportuar me automjet kundrejt pagesës prej 500 eurosh për person.
Në momentin që iu bë shenjë për të ndaluar nga punonjësit e Policisë, ai tentoi të largohej, por pas ndjekjes për disa minuta, u bë ndalimi dhe shoqërimi i tij. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 7, Tiranë, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të kësaj gjykate, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme"
Komente










