KORÇË – Tentativa për të kaluar 5 emigrantë të paligjshëm të kufirit ka vënë në pranga 35-vjeçarin Gani Mollaymeri.

Ai ishte duke lëvizur me automjet në aksin rrugor "Korçë-Pogradec", pranë vendit të quajtur Qafë Plloçë, ku konstatoi se po ndiqej nga policia. Ndonëse uniformat blu e sinjalizuan që të ndalonte, ai tentoi të largohej me shpejtësi por u kap.

Gjatë kontrollit në automjetin tip "Benz" me të cilin lëvizte 35-vjeçari me banim në Durrës u gjetën 5 emigrantë të paligjshëm.    

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provat e siguruara, rezultoi se 35-vjeçari do t'i transportonte emigrantët, kundrejt pagesës, me qëllim që të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE-së.  

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, një aparat celular dhe një shumë parash.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.