Deputeti Kurti është arrestuar nga forca të shumta policie në momentin që po hynte në Kuvendin e Kosovës për seancën plenare, ndërsa ka pasur edhe një përplasje me aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në momentin që policia e prangosi.
VIDEO/ Momenti i arrestimit nga policia Albin Kurti
Policia ka hedhur gazlotsjellës ndaj deputetëve të Vetëvendosjes dhe aktivistëve para Kuvendit në momentin e përplasjes, ndërsa disa prej tyre kanë përfunduar në spital.
Deputetët u arrestuan pas urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës një ditë më parë për mosparaqitje në seancën gjyqësore. Albin Kurti është njëri prej deputetëve të Vetëvendosjes, që akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës gjatë seancave të vitit të kaluar, kur tentohej të bllokohej ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit nga 30 ditë për tre deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët u arrestuan sot në mëngjes para ndërtesës së Kuvendit. Për arrestimin ka reaguar ashpër kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje duke akuzuar qeverinë. Ymeri akuzoi se arrestimi i Kurtit është bërë me urdhër politik.
“Tre deputetë u arrestuan në mënyrë brutale nga Policia me urdhra politikë. Ata ishin duke ardhur në seancë për të marrë pjesë. Kjo është vazhdimësi e një përndjekjeje masive dhe gjithëpërfshirëse të Lëvizjes Vetëvendosje me dënimin e katër aktivistëve tanë pa kurrfarë prove e dëshmie e pastaj me vazhdimin e këtij gjyqi të padrejtë ndaj deputetëve tanë vetëm për shkak se ata e mbrojtën sovranitetin e Republikës dhe integritetin territorial të vendit.
Po duan ta përndjekin Lëvizjen Vetëvendosje për shkak se po duan që vullneti i tyre politik që është vullnet i krimit dhe korrupsionit të ngadhnjejë në Republikën e Kosovës. Natyrisht nuk do ta lejojmë një gjë të tillë” deklaroi ai. Mediat ne Kosovë theksojnë se tre deputetët do të qendrojnë 30 ditë në paraburgim.
dy.b/shqiptarja.com