TIRANE- I njohur si pjesëtar i klanit “Duka”, dhe i përfshirë në vrasjen e Santiagi Malkos në 2019, agjentët e Komisariatit nr. 2 dhe forcat “Shqiponja” arrestuan këtë të shtunë Elvis Gaçajn, 50 vjeç, i cili u gjet me armë pa leje, jo shumë larg Komunës së Parisit.

Gaçaj po lëvizte si pasagjer me mikun e tij Marsel Dobi në një makinë “Volkswagen”, dhe pas kontrollit iu gjet pistoleta me municion luftarak dhe një sasi lëndë narkotike kanabis.

"Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shigjeta”, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në planin e masave si dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas po lëviznin të armatosur, në automjet, në rrugën "Ramazan Demneri", kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Again", për kapjen e tyre.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Volksëagen”, me drejtues shtetasin Marsel Dobi dhe pasagjer shtetasin Elvis Gaçaj.  Gjatë kontrollit fizik të shtetasit Elvis Gaçaj, sherbimet e Policisë “Shigjeta” gjetën e sekuestruan një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lëndë narkotike kanabis" informoi sot policia e Tiranës. 


Miku i tij Dobi u arrestua për moskallëzim krimi. Elvis Gaçaj rezulton të jetë dënuar për vrasjen e Malkos me 7 vjet burg, me vendim të shkallës së parë të GJKKO, ndërsa Apeli para pak kohësh e ka kthyer edhe njëherë dosjen për gjykim në shkallë të parë.

Elvis Gaçaj u arrestua për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” si dhe Marsel Dobi 40 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Policia thotë se edhe më herët, 50-vjeçari ka qenë i dënuar disa herë për armëmbajtje pa leje, për lëndë narkotike dhe për vjedhje me dhunë.