Në Padova të Italisë është zhvilluar një operacion i madh policor i cili ka nxjerrë në pah sesi funksiononte trafikimi i lëndëve narkotike në zonë, kryesisht ai heroinës. Drejtuesi i organizatës është Jamel Chebbi, i njohur ndryshe si “Jack” ose “Michael Jackson”, me origjinë nga Tunizia, është arrestuar. Pas përfundimit të hetimeve janë lëshuar 9 mandate arresti, 6 prej personave gjenden në paraburgim dhe tre në arrest shtëpie.
Hetimet
Gjithçka filloi në vitin 2020 me disa raportime për tregtinë e drogës në zonën Mortise, në Padova, pas së cilave policia arrestoi një tunizian dhe një bashkëpunëtor i tij, Paduan Franco Inglese. Hetimet më pas çuan në arrestimin e bashkëpunëtorëve të tjerë. Përgjimet telefonike, ndjekja dhe videot e shumta konfirmuan dyshimet, duke çuar në arrestime të dorës së dytë. Fillimisht ishte personi që binte në kundërshtim me Inglese dhe disa ditë më vonë, më 28 tetor u arrestua korrieri shqiptar, i identifikuar si Memaj., i cili në momentin e arrestimit kishte 750 gram heroinë me vete.Lëvizjet e Memajt bënë të mundur gjetjen e laboratorit ku përgatitej heroina, në provincën Bosaro të Rovigos, aty ku u sekuestruan edhe 32 kilogramëve heroinë.
Korrieri Memaj
Arrestimi i Inglese detyroi pjesën tjetër të bandës të riorganizoheshin, duke ndryshuar numrat e telefonit, duke transportuar lëndën narkotike në një vend tjetër dhe duke zëvendësuar figurën e bashkëpunëtorit. Por arrestimi që përcaktoi fatin e organizatës kriminale ishte ai i Memajt, të cilit iu gjenden edhe disa blloqe shënimesh në të cilat kishte të dhëna të shumta për trafikun e drogës, furnitorët, klientët . Në bazë të të dhënave të siguruara doli që dërgesat e Memaj në Padova kishin filluar në 13 korrik 2020 dhe për disa muaj ato arrinin në 47 kg heroinë dhe gjysmë kilogram kokainë, kundrejt pagesave prej 260 mijë euro.
Drejtuesi i grupit
Për kë ishte menduar e gjithë kjo heroinë? Jamel Chebbi, me origjinë tuniziane ishte drejtuesi i grupit të quajtur "Jeta". Ai koordinonte blerjen dhe shitjen e lëndes narkotike, pa e ekspozuar kurrë veten: ai dërgonte bashkëpunëtorët e tij, përfshirë Franco Inglese, për të marrë heroinën, pas së cilës ai u besonte dy shpërndarësve të drogës të njohur si "Karim" dhe Triki. Pas arrestimit të Inglese, Chebbi gjithmonë shqetësohej se si të shmangte arrestimin e tij dhe u mundua të humbiste gjurmët.
Shpërndarësit e drogës
Inglese, sapo e merrte drogën, ua dorëzonte shitësve me pakicë dhe personalisht shiste një pjesë të vogël. Ai gjithashtu ndihmohej nga ndihmësi i tij, i cili e shoqëronte atë në raste të ndryshme në takime dhe shpesh herë ai bënte ndërmjetësin. Ishte ai që paralajmëroi pjesën tjetër të grupit kur Inglese u arrestua. "Karim" dhe "Kalonga" ishin hallka e fundit në atë zinxhir, ata që ishin përgjegjës për përgatitjen e dozave dhe shitjen e tyre me pakicë. Të ardhurat nga shitja i dorëzoheshin Chebbi.
Trafiku nga Shqipëria
Nga disa hetime të kryera në Modena në tetor të 2020, u arrit në konkluzionin që kishte edhe shqiptarë të tjerë të përfshirë në veprimtarinë e jashtëligjshme. Në tetor 2020, Memaj u dha disa kilogramë heroinë dy shqiptarëve të tjerë Ervis Hasko dhe Ingrit Ballshi. Ballshi më parë ka qënë i përfshirë në trafik heroine dhe kokainë nga Shqipëria në Itali. Ndaj të dyve janë dhënë masa sigurie, i pari në burg dhe i dyti ndalim qëndrimi në Modena.