Policia e Shtetit bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 5 persona, 3 prej të cilëve në kërkim kombëtar dhe 2 prej tyre në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Bilbil Lluka është prangosur në Hungari dhe ekstraduar në vendin tonë pasi Gjykata e Gjirokstrës një vit më parë i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Kanosja" dhe "Armëmbajtja pa leje”.

Eduardo De Francesco është arrestuar në Itali dhe ekstraduar në Shqipëri pasi Gjykata e Tiranës në vitin 2019 i ka caktuar këtij personi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Sakaq, Gani Abazi, 61 vjeç, banues në Tepelenë, ishte shpallur në kërkim kombëtar për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal" ndërsa është dënuar me 8 vite burg.

Policia e Shtetit njofton se është arrestuar edhe Altin Koçeku pasi ishte i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar "Autostrada", për veprën penale "Vjedhja" e kryer në bashkëpunim.

Koçeku dyshohet se është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kryente vjedhje të kasafortave në biznese dhe vila në autostradën Tiranë-Durrës. Në kuadër të operacionit të zhvilluar më 12 dhjetor u arrestuan në flagrancë 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 3 të tjerë.

Ndërsa Viktor Gaço është kapur nga strukturat e Gjirokastrës pasi ishte në kërkim për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.