TIRANË- Një 20-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se vidhte monopatinat elektrike dhe biçikleta nëpër Tiranë. 20-vjeçari Emiljan Guraj dhe bashkëpunëtori i tij i mitur, 16-vjeç, dyshohet se janë autorë të të paktën 7 rasteve të vjedhjeve të monopatinave dhe biçikletave.
Ai ka rënë në pranga pas disa denoncimeve që janë bërë nga qytetarë të ndryshëm, për raste të vjedhjes së monopatinave të tyre. Ndërkohë, 16-vjeçari është vënë nën hetim në gjendje të lirë. Gazetari i Report Tv, Sokol Dema ka siguruar video teksa shihet edhe momenti kur 20-vjeçari vjedh një monopatinë dhe largohet. Në video shihet edhe momenti kur ata vjedhin biçikleta.
Policia ka sekuestruar 2 monopatina të dyshuara të vjedhura. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë 2 muajve të fundit, kanë vjedhur 7 monopatina, në zona të ndryshme të Tiranës. Përveç monopatinave ata kanë vjedhur edhe biçikleta.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.