TIRANË - Ka zgjatur vetëm dy ditë arratisja e Shpëtim Tahos, të dënuarit për vjedhje me dhunë, i cili theu lejen e burgut të Vaqarrit.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve Shpëtim Tahos i ishte dhënë leje shpërblyese për 4 ditë për shkak se kishte nënën sëmurë.

Leja e parashikuar niste më datë 27.12.2013 përfundonte më 31.12.2013, ora 12:00.Në orarin e pritshëm, kur i dënuari Taho nuk është paraqitur në IEVP Vaqarr, menjëherë janë vënë në lëvizje strukturat e policisë së shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për kapjen e tij.

Shpëtim Taho u vu sot në mëngjes në pranga në një hotel pranë kilometrit të tretë në autostradën Tiranë- Vorë. Sipas burimeve ai ishte në shoqërinë e një femre. Operacioni i arrestimit u krye nga shërbimet e Komisariatit Nr. 3.

(Ne foto: Alma Katragjini, zedhenesja e policise, duke deklaruar arrestimin e Tahos, dhe bashkëpunëtorëve të tij më 8 korrik 2010.  Ngjitur tabela me provat materiale të sekuestruara gjatë operacionit)

DITEN E FUNDIT TE LEJES ISHTE ME TE DASHUREN NE LOKAL
Edhe Drejtoria e Burgjeve përmes një njoftimi për shtyp bënte të ditur se nga informacionet paraprake, rezulton se ditën e fundit të lejes, i dënuari Shpëtim Taho ka qenë me të dashurën dhe një mik në një lokal në lagjen Nr 6, ku Taho ishte banor. Drejtoria e Burgjeve i kishte bërë të ditur policisë, identitetin e shokut të tij, ndërsa për të dashurën e të dënuarit dihej vetëm që është e divorcuar dhe kishte prej kohësh lidhje me të dënuarin Taho.

U ARRATIS ME MAKINEN E MOTRES
Ky i fundit, kur ka marrë vendimin për të mos u kthyer në burg, i ka dërguar një mesazh motrës së tij,  ku i ka thënë se nuk do të kthehet në burg dhe se i vjen keq për nënën në lidhje me veprimin që po bënte. Ai është arratisur me makinën e të motrës, e tipit Polo, e bardhë, me targa italiane.Nga burime të pakonfirmuara, mendohej se Taho kishte shkuar tek njerëzit e të dashurës.

TAHO KISHTE PERFITUAR 6 MUAJ ULJE DENIMI PER SJELLJE TE MIRE
Shpëtim Taho është dënuar me 7 vjet e 8 muaj heqje lirie për veprën penale të vjedhjes me dhunë në bashkëpunim. Kishte kryer 4 vjet dhe kishte fituar 6 muaj ulje dënimi nga gjykata për sjellje të mirë. Edhe më parë ai ka marrë leje shpërblyese, duke i respektuar afatet ligjore. Në shtator 2013 Taho kishte marrë leje shpërblyese për 7 ditë dhe është kthyer sërish në institucion.

Ersejla Murati, Keshilltarja e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kërkon të nënvizojë se "Është e rëndësishme të theksohet se ky i dënuar ka patur sjellje shumë të rregullt gjatë kohës që ka kryer dënimin në burgun e Vaqarrit."

ARRESTIMI I TAHOS SE NE BASHKEPUNIM GRABITI MAKINEN E NJE SHTETASI GREK
Taho ishte arrestuar nga policia e Tiranës në 8 korrik të vitit 2010 me akuzën e vjedhjes me dhunë të kryer në bashkëpunim. Ai u akuzua se së bashku me Artur Konjën dhe Aleksandër Pjetrin i kishin grabitur mjetin një shtetasi grek. 


"KILOMETRI 29" OPERACIONI QE ARRESTOI SHPETIM TAHON NE 2010 
Operacioni i datës 8 korrik 2010 ku u arrestuar Shpëtim Taho u kodua “Kilometri 29” dhe u realizua nga Specialistët e Seksionit
 
Të arrestuarit ishin Shpëtim Hiqmet Taho, 25 vjec, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje automjetesh, - Artur Demir Konja, 39 vjec, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje, - Aleksandër Zef Pjetri, 27 vjec, banues në Lezhë.
 
”Kapja dhe më pas arrestimi i tyre u bë sepse dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë vjedhur nën kërcënimin e armës, automjetin tip Honda, një shtetasi grek.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe oproceduarile, ka rezultuar se automjeti është shitur prej tyre, në qytetin e Lezhës shtetasit Aleksandër Pjetri, i cili i ka ndihmuar dhe përkrahur autorët, duke i vendosur në dispozicion menjëherë pas ndodhjes së ngjarjes një automjet tip Mini - Cuper (të vjedhur),me qëllim që autorët të largohen.
 
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua në një servis të ndodhur në segmetin rrugor Lezhë – Lac, automjeti tip Honda i vjedhur me targa të huaja, u sekuestrua arma e dyshuar e krimit, një automatik me një krëhër dhe 30 copë fishekë, si dhe një tjetër automjet tip “Mini Cuper”, i vjedhur prej tyre, sende të cilat u gjetën të fshehura në servisin në pronësi të shtetasit Aleksandër Pjetri. Autorëte lartëpërmendur, dyshohet se nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur me dhunë duke e kërcënuar shtetasin më shtetësi e kombësi Greke, dhe më pas janë larguar menjëherë nga vëndi i ngjarjes.
 
Materialet hetimore dhe proceduriale të përpiluara në ngarkim të tyre do ti kalojën Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “Vjedhjes me armë” në bashkëpunim, “Pastrimit të produkteve të veprës penale” ndërsa në ngarkim të shtetasit Aleksandër Pjetri, për armëmbajtje pa leje dhe “Përvetësim e fshehje e sendeve të vjedhura”.

Redaksia Online
(sg/gxh/shqiptarja.com)