TIRANE, 9 Prill/ATSH/-Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Policisë, Inspektor Arjan Ahmet Sokoli, 45 vjeç, me detyrë nd/kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare në Morinë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".
Sipas njoftimit zyrtar, në datë 8 prill 2015, shërbimet e Stacionit të Policisë Kalimash kanë ndaluar 2 automjete, të cilat përdornin të njëjtat targa, vendosur secilën vetëm në pjesën e përparme të mjetit. Ato drejtoheshin nga shtetasit Indrit Koni dhe Denis Koni, pa dokumentacion përkatës.
Sektori kundër Krimit Ekonomiko-Financiar ka arrestuar Indrit Konin, Denis Konin dhe Baftiar Halilin, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të "Kontrabandës me mallra të tjera" dhe "Tregëtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë".
Nga hetimet e kryera nga SHÇBA (ish-SHKB) u dokumentua me prova ligjore se 3 shtetasit e ndaluar, janë ndihmuar për kryerjen e veprës penale nga punonjësi i Policisë me detyrë nd/kontrollor, Arjan Sokoli. Ai në kundërshtim me ligjin dhe duke keqpërdorur atributet që i jep detyra, ka lejuar kalimin e automjeteve nga Kosova në Shqipëri, nëpërmjet P.K.K. Morinë, duke mos kryer rregjistrimin përkatës në sistemin TIMS./a.g/