TIRANË – Ish-Ministri i Mbrojtjes së Gjeorgjisë, homolog i ish-ministrit shqiptar Imami, i kërkuar për korrupsion në vendin e tij, është arrestuar sot në mesditë në Francë, ndërsa ishte duke u nisur për në Shqipëri. 

Njoftimin e ka publikuar AFP dhe e ka shpërndarë për mediat, deputeti Erion Braçe, i cili e komenton këtë në profilin e tij, pasi për Braçen, emri i Kazearashvilit është mfat i njohur. Braçe e ka denoncuar atë si bashkëpunëtor të afërt të ish-ministrit Arben Imami në shit-blerjet e armëve dhe raketave.

Braçe gjen rastin për të vërtetuar atë që ai pat parashikuar gjatë fushatës elektorale, kur denonconte çështjet e dyshimta të Ministrisë së Mbrojtjes.

Deputeti socialist shkruan: “Davit Kezerashvili u ndalua sot në orën një të pasdites në aeroportin e Nisës në Francë. E dini ku po shkonte? Në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë! Gjithcka rezultoi e tillë pasi policia verifikoi identitetin e tij dhe biletën e udhëtimit.

Tani kam një pyetje: Ç’donte në Shqipëri, një ish-ministër i kërkuar me një mandat arresti ndërkombëtar për korrupsion?”

Dhe, pa dhënë detaje por duke aluduar qartë për bashkëpunëtorin e Imamit në tregtinë e armëve, ai kujton:

“Besoj e mbani mend që kam folur në fund të 2012-ës për një mega-aferë të Ministrisë së Mbrojtjes së Arben Imamit – Ministrisë së Mbrojtjes së këtij zotnisë – “Montenegro defence industry” për 10 mijë raketa “Zolja”.

Redaksia online
(armanda.shtëmbari/shqiptarja.com)