Pesë vite pas shkarkimit nga detyra me urdhër të Prokuorisë arrestohet ish kreykomunari i komunës Gosë Sinan Shala.

Urdhër arresti për shallën është lëshuar këtë të mërkurë pasi ai akuzohet për shpërdorim detyrë falsifikim dokumentesh dhe abuzim me trojet publike. 

Këto vepra penale sipas Prokurorisë ai i ka kryer gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e kreut të komunës Gosë në rrethin e Kavajës.

Ndërkohë në kërkim policor është shpallur ish shefi i Kadastës së komunës Gosë Nezir Leçini, i cili akuzohet se në bashkëpunim me Shalën dhe zyrtarë të tjerë kanë përvetësuar 76 hektarë tokë pyll në bregdet duke e kthyer në tokë arë.

Kjo sipërfaqe bregdeti sipas akuzës është në zonën e njohur si plazhi Vil Bashtovës aty ku shumë pranë saj ndodhet dhe Kalaja e Bashtovës dhe aktualisht është vënë në sekuestro për tu kthyer sërish në pronë shtetërore.

Hetimet për këtë rast janë kryer nga Njësia Antikorrupsion e ngritur në kryeministri e cila në bashkëpunim me prokurorinë kanë zbardhur skemën e përvetësimit të pronës shtetërore.

Pak kohë më parë për të njëjtën akuzë Prokuroria ka arrestuar dhe tre persona të tjerë mes tyre dhe ish kryeregjustruesin e hipotekës së Kavajës.

Sinan Shalla ish kryekomunari i komunës Gosë u shkarkuar me vendim qeverie në vitin 2011 ndërsa ndaj tij rëndon dhe një tjetër akuzë e bërë nga Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive, për fshehje pasurie.
 
Ja njoftimi zyrtar i prokurorisë
Prokuroria e Kavajës ka marrë lejen e gjykatës për arrestimin e ish-kryetarit të komunës Gosë, Sinan Shala, si edhe të Shefit të Kadastrës Kavajës, Nezir Leçini, të dyshuar për konsumimin e veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Fallsifikimit të dokumentave” nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë, në procesin e ndarjes së tokave në zonën bregdetare të Vilë-Bashtovës. Nga ana e Policisë së Shtetit është ekzekutuar urdhëri i arrestit për të dyshuarin Sinan Shala. Ndërkohë, nuk është bërë i mundur arrestimi dhe është shpallur në kërkim i dyshuari Nezir Leçini.
 
Gjithashtu, Prokuroria e Kavajës ka vendosur edhe sekuestrimin e rreth 76 hektarë tokë në zonën e rërës, të ndara në disa parcela, të dhëna në pronësi nga disa ish-zyrtarë, përfshirë edhe ish-kryetarin e komunës.
 
Nga hetimet e Prokurorisë, të nisura në bazë të materialit nga Njësia Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka rezultuar se, nëpërmjet një mekanizmi të ndryshimit të strukturës së tokës nga “tokë pa fryt” në “tokë arë”, me anën e dokumentave të fallsifikuar, i është dhënë pronësia personave të ndryshëm, duke tejkaluar normën e përcaktuar në ligj për familje, si edhe shtetasve të tjerë, të cilët nuk përfitonin nga kjo e drejtë.
 
Pjesa më e madhe e sipërfaqes së tokës bregdetare, të shpërndarë nëpërmjet këtij mekanizmi abuziv, tashmë është tjetërsuar në emër të personave të tjerë, të cilët i kanë blerë në shuma të konsiderueshme. Blerësit e rinj i kanë regjistruar këto pronanë Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
 
Zhvillimet e sotme janë pjesë e hetimit të nisur disa kohë më parë, gjatë të cilit janë arrestuar para disa javësh edhe tre ish-zyrtarë të tjerë, përfshirë ish-kryetarin e zonës së ndarjes së tokave dhe ish-kryeregjistruesi i Kavajës.
 
Ndërkohë, Prokuroria e Kavajës po vijon hetimet edhe për parcela të tjera në zonën bregdetare, për të cilat ka dyshime se mund të jenë ndarë nëpërmjet dokumentave të fallsifikuar.
 
Gjatë analizës së Prokurorisë në nivel Apeli në Durrës, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, kërkoi nga Prokuroria e Kavajës që të intensfikohen hetimet lidhur me ndarjen abuzive të tokave në zonën bregdetare të rrethit.
 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)