AMP ka arrestuar ish oficerin e policisë së Lezhës, Klisman Nikolli, i cili ishte në kërkim për shpërdorim detyre, pasi lejoi kultivimin e kanabisit në vitin 2022 në Ungrej të Lezhës.

Në nëntor të vitit 2022, Klisman Nikolli u arrestua në Itali për vjedhje. Menjëherë pas arrestimit, Nikolli u përjashtua nga rradhët e policisë së Shtetit.

Sa i përket kultivimit të kanabisit, ishin dy vite hetime prej AMP, që zbuloi së bashku me Klisman Nikollit edhe një oficer tjetër si Serxhio Xhamalloti që kishte lejuar kultivimin e kanabisit.

Bazuar në këto hetime, Gjykata e Lezhës caktoi masën e arrestit në burg për të dy, bëhet fjalë për 29 korrikun e vitit të shkuar.

'Pas hetimeve të thelluara nën drejtimin e Prokurorisë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ndaj ish-oficerit të policisë K.N., 29 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Dy vite më parë ish-oficeri K.N. u shpall në kërkim nga AMP, pasi dyshohej se gjatë ushtrimit të detyrës në Komisariatin e Lezhës, ka lejuar kultivimin e kanabisit në zonën e Njësisë Administrative Ungrej.', thuhet në njoftimin e AMP.

Pas pothuajse një vit në kërkim tashmë ekzekutohet masa e arrestit të caktuar nga Gjykata për Nikollin.