Kosovë/Specialja arreston ish komandantin e UÇK-së, ish shefin e Inteligjencës dhe vëllanë e dy dëshmorëve! Bastiset banesa e ish ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi

Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu

Gjykata Speciale arrestoi sot ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe vëllain e Fahri dhe Bahri Fazliut, Fadilin.

Specialja në një njoftim dërguar mediave ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar "po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë".

"Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)", thuhet në njoftimin e Speciales.

Familjarët e të arrestuarve kanë konfirmuar aksionin e Speciales gjatë ditës së sotme.

Ndërkohë mediat kosovare thonë se është bastisur dhe banesa e ish-ministrit të Drejtësisë në Kosovë, Hajredin Kuci/

Në një prononcim për media djali i Fadil Fazliut, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu, ka thënë se ai pritet të dërgohet në Hagë.

“Ai ndodhet për momentin në zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë dhe pritet të dërgohet për në Hagë”, ka theksuar Fazliu. 

Ai ka thënë se nuk kanë informata se për çfarë është arrestuar.

Ndërkohë Kilaj, i cili kishte shërbyer edhe si kryetar i Malishevës, qe arrestuar edhe në nëntor të vitit të kaluar nën dyshimin për pengim të drejtësisë. Në maj të këtij viti, ai u lirua nën kushte të rrepta, por vazhdoi të ngelte si i dyshuar. Si kusht paraprak për lirim e pati shumën prej 30 mijë eurosh të cilën duhej t’ia jepte administratores si garanci financiare. Në korrik, Zyra e Prokurorit të Specializuar e kishte paraqitur aktakuzën e ndryshuar ndaj tij.

Vitin e kaluar, Specialja pati bastisur shtëpitë e ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, Bashkim Smakaj si dhe të Fadil Fazliut.

Artan Qerkini, avokat i Smakajt, pas bastisjeve kishte thënë se dyshimi i prokurorisë së specializuar është te veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.

Faton Klinaku, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), ka thënë se Specialja po vazhdon gjahun ndaj luftëtarëve të lirisë.

“Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë. Në  media u dha lajmi për arrestimin e Isni Kilajt e Bashkim Smakajt, por sipas informatave që po më vijnë është arrestuar edhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu”, ka shkruar Klinaku në Facebook.

Xh.K/K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Aksident në Bulqizë, shoferi humb kontrollin e automjetit dhe përplaset me kollonën e mbikalimit (VIDEO)

Aksident në Bulqizë, shoferi humb kontrollin e automjetit dhe përplaset me kollonën e mbikalimit (VIDEO)