TIRANE- Asllan Patrioti, koordinator i grevës së urisë së ish-të përndjekurve politik është vënë në pranga në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës (17 tetor). Policia e Tiranës thotë se arrestimi i tij nuk ka lidhje me grevën. Bëhet fjalë për një tjetër ngjarje, të ndodhur në qershor të këtij viti. Asllan Patrioti akuzohet për vjedhje me anë të mashtrimit. Nga ana e ish të burgosurve politikë deklarohet se prapa ndalimit të Patriotit ka motiv të pastër politik dhe i bëjnë apel ndërkombëtarëve të ndërhyjnë për lirimin e tij.

PROTESTE PARA PARLAMENTIT: LIRONI PATRIOTIN

Ora 11: 00 Ish-të përndjekurit politikë protestuan sot para parlamentit, të mbështetur dhe nga të rinj. Koordinatori i grevës, Skënder Tufa kërkoi lirimin e Asllan Patriotit, duke e quajtur prangosjen e tij “të paligjshme” . Protesta para Parlamentit zhvillohet çdo të enjte që nga dita kur ka filluar greva e urisë.

PROKURORIA FIRMOSI URDHERARRESTIN 30 MINUTA PARA PRANGOSJES
Ora 10: 53 Burime nga prokuroria e Tiranës kanë bërë të ditur se urdhërarresti për Asllan Patriotin është firmosur pikërisht mbrëmë, 30 minuta para ekzekutimit të tij. Arrestimi i 59 vjeçarit u bë në orën 21:00. Lajmi bëhet i ditur nga gazetari i TV A1 Report Arsen Rusta.

POLICIA JEP VERSIONIN ZYRTAR TE ARRESTIMIT TE PATRIOTIT
Ora 10:00 "Sot paradite rreth orës 10:00 policia e Tiranës përcjell nëpërmjet njoftimit për shtyp motivin pse arrestoi Asllan Patriotit. 
Mbrëmë në orën 21.00 u arrestua në kushtet e flagrancës shtetasi Asllan Ramadan Patrioti, 59 vjec, banues në Tiranë, duke marrë me anë të mashtrimit shumën prej 700 euro ndaj shtetasit iltalian M.N. Në muajin qershor 2012, shtetasi Italian M.N denoncoi vjedhjen e automjetit të tij personal, i cili pas pak ditësh u gjet dhe ju kthye pronarit, nga strukturat e policisë së komisariatit të policise Nr.4 Tiranë.
Shtetasi Italian prej kohësh, pas gjetjes së automjetit të vjedhur ishte nën presionin e shtetasit shqiptar Asllan Patrioti për t’u paguar, pasi pretendonte se kishte ndikuar për gjetjen e automjetit të vjedhur. Në zbatim të urdhërit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në mbrëmjen e sotme, veprimet hetimore u finalizuan me arrestimin e Asllan Patriotit, në kushtet e flagrancës. Aktet e arrestimit në flagrancë shuma euro e sekuestruar, si dhe provat filmike iu dërguan në vjim Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ndjekje të mëtejshme.

TUFA: ARRESTIMI  ME MOTIV TE PASTER POLITIK
Ora 09: 23
Bashkëkoordinatori i grevës së urisë Skënder Tufa deklaroi sot në mëngjes se arrestimi i Asllan Patriotit në këto momente ka motive politike dhe i bën apel ndërkombëtarëve të ndërhyjnë për lirimin e tij. Tufa thotë se gjatë orëve të mbrëmjes ka pasur dhe ai presione.
“Patrioti u arrestua për motive të pastra politike. Akuzohet për një veprim në muajin qershor, të cilin nuk e dimë nëse e ka kryer. Drejtësia nuk duhet të abuzojë. Në këto momente Asllani po kërkon të drejtat e të përndjekurve. Çdo veprim që kryhet kundër këtij grupi është politike. Patrioti duhet të lirohet dhe të vijë pranë grevës. I bëj apel Ndërkombëtarët të ndërhyjnë për ta liruar. Të kenë mirësinë të mbarojë kjo greve, dhe nëse ka probleme me drejtësinë, policia të veprojë pas mbarimit të kësaj greve. Ndërkombëtarëve u kërkoj mbështetje. Arrestimi dhe ndalimi i tij është politik. Ashtu mund të ndalohem dhe unë, dhe mbrëmë kam pasur presione, dhe kur vajta në emisionin "Top show" të Alban Dudushit vajta duke u fshehur nëpërmjet rrugicave si guerrilas.”

POLICIA: PATRIOTI U ARRESTUA PER MASHTRIM, S'KA LIDHJE ME GREVEN
Ora 00: 30 Policia e Tiranës thotë se arrestimi i tij nuk ka lidhje me grevën, por për një tjetër ngjarje, të ndodhur në qershor të këtij viti. Asllan Patrioti akuzohet për vjedhje me anë të mashtrimit. Sipas versionit të forcave blu, Patrioti u arrestua pasi akuzohet se i ka marrë me anë të mashtrimit dhe kërcënimit shumën prej 700 euro shtetasit italian me inicialet M.N. Në muajin qershor të këtij viti shtetasi italian denoncoi vjedhjen e makinës së tij e cila u gjend pas disa ditësh nga komisariati numër 4. Shtetasi italian pas gjetjes së makinës ishte nën presion nga Patrioti për të paguar pasi ky i fundit pretendonte se kishte kontribuar në gjetjen e makinës. Në zbatim të urdhrit të prokurorisë u finalizua arrestimi i Asllan Patriotit. Shuma në euro e sekuestruar dhe provat filmike i janë dërguar prokurorisë për hetim.