DURRËS - Kreu i Komitetit të Ndërmjetësimit për Bashkëjetesë Kombëtare, Ndrec Prenga është arrestuar nga policia pasi në këmbim të 300 eurove i ka dhënë një gruaje një vërtetim fakti me qëllim për të kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian.
 
64-vjeçari me banim në Durrës u vu në pranga në afërsi të ish-doganës në Tiranë, ku një grua 65-vjeçare Sabahet Manuka po i jepte 300 euro në këmbim të vërtetimit të faktit.
 
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale paratë, 1 vulë dhe tre telefona celularë. Sipas Policisë së Durrësit, arrestimi i tij u bë pas 1 muaji hetimesh ku operacioni i koduar "Azilkërkuesi" u finalizua me arrestimin e kreut të Komitetit të Ndërmjetësimit për Bashkëjetesë Kombëtare, dhe vënien në pranga të 65-vjeçares me banim në Tiranë.

Sipas policisë, Prenga është person me precedentë të mëparshëm penalë i dënuar për të njëjtën vepër.

Ndrec Prenga akuzohet për "Korrupsioni pasiv në sektorin privat "dhe"Falsifikimi i dokumenteve", ndërsa Manuka për “Korrupsioni aktiv në sektorin privat". 

para te sekuestruara
(Paratë, celularët dhe vula e sekuestruar nga policia)

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)