KAMËZ - Një 51-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga policia pasi iu gjet në banesë një pistoletë dhe municion luftarak.

Njoftimi i plotë i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara se një shtetas mbante armë zjarri në banesë, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Tracking”.

Në kuadër të operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. P., 51 vjeç, banues në Kamëz. 

Nga kontrolli në banesën e tij, në rrugën “Besim Cera” shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, që posedoheshin pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.