TIRANE, 18 Dhjetor/ATSH/- Strukturat e Policisë së Shtetit, gjatë ditës së sotme finalizuan një operacion policor, duke mundësuar kapjen e shtetasit Dorian Duli, vjeç 36, banues në Shkodër, person me precedentë të rëndë kriminalë brenda dhe jashtë vendit, si dhe ekzekutimin e letërporosisë së autoriteteve belge të Gjykatës së Shkallës së Parë Luvër për kontrollin e banesës së këtij shtetasi, me synim sekuestrimin e pasurive të vjedhura në Belgjikë.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Genti Mullai deklaroi se dyshohet se ky shtetas është pjesë e një krupi kriminal që ka kryer vjedhje me armë si jashtë dhe brenda vendit, grup i cili u godit në muajin Tetor 2014 në bashkëpunim me autoritetet Belge. Po ashtu dyshohet që ky shtetas të këtë precedentë të rëndë kriminalë dhe në shtetin grek".
Ndërkohë Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka lëshuar një vendim mbi lejimin e ekzekutimit të letërporosisë së autoriteteve Belge për kontrollin e banesës së këtij shtetasi.
Shtetasi Dorian Duli në momentin që forcat e policisë po ushtronin kontroll në banesën e tij ka tentuar të largohet nga pjesa e pasme e banesës private, por është kapur nga punonjësit e policisë.
Gjatë kontrollit në çantën e tij të shpinës nga strukturat e policisë janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale: tre arme zjarri pistoletë të tipit: TT, CZ, dhe pistoletë me Mulli me mbishkrimin Smith veson, si dhe një armë gjahu Superpost me tytë të shkurtuar, tre krehra me fishekë, 80 copë fishekë kalibër 9 mm dhe 12 mm.
Armët e sekuestruara do ti nënshtrohen ekspertimeve të mëtejshme pranë laboratorit kriminalistik.
Në ambientet e brendshme dhe të jashtme të banesës, gjatë kontrolleve të ushtruara, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 13 000 mije euro të prerjeve të ndryshme, 700 mijë lekë të reja, disa ora dorë të shtrenjta, unaza material argjendi, disa aparate telefoni, kamera dhe aparate fotografike te markave te ndryshme, pajisje shërbimi policie si jelek antiplumb, jelek policie, pranga, shkop gome, një tabelë me mbishkrimin Ministria e Rendit Publik-Policia Rrugore etj, një armë gjahu e markës Benelli, kalibër 12 mm, një gjerdan me fishekë të kësaj arme gjahu, automjeti tip Land Crysler me targe AA354JN, automjeti Volksvagen Golf-4 me targe AA481JP, si dhe një motoçikletë pa targa.
Strukturat e Policisë së Shtetit po punojnë në vazhdimesi për dokumentimin e plotë të veprave të tjera penale të dyshuara të kryera nga ky shtetas.
Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Shkodër, si dhe Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë lidhur me ekzekutimin e letërpororisë mbi pasuritë e sekuestruara./a.gegvataj/












