TIRANE - Është arrestuar mesditën e sotme nga policia e Tiranës, Olsi Karagjozi, autori i katër vrasjeve të mbetura në tentativë.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini sqaron se policia e Krimeve të Rënda ka arrestuar 36-vjeçarin Osli Albert Karagjozi në fshatin Fllakë të qytetit të Durrësit, lindur e banues në Laprakë.

Arrestimi i Karagjozit është kryer pasi është autori i 4 vrasjeve të mbetura në tentativë.

"Më datë 04.korrik 2012 në banesën e vjerrit të tij e ndodhur në Shijak, Olsi Karagjozi dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin Bujar Cezma duke e plagosur rëndë në pjesë të ndryshme të trupit. Për këtë ngjarje Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg, për veprën penale të "Vrasjes me Dashje e mbetur në tentativë" dhe "Armë mbajtje pa leje", parashikuar nga neni 76-22 e 278/2 K.Penal.

Më datë 16 dhjetor të vitit 2010 në Kryeqytet, për motive të castit, Olsi Karagjozi ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin Alfred Guce, duke e plagosur rëndë atë. Për këtë ngjarje prokuroria e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg, për veprën penale të “Vrasjes me Dashje e mbetur ne tentative” dhe “Armë mbajtje pa leje”, parashikuar nga neni 76-22 e 278/2 K.Penal.

Më datë 10 shkurt 2011 në Paskuqan të Tiranës, për motive të dobëta Olsi Karagjozi ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin Astrit Skana, duke e plagosur rëndë atë, ndërkohë që për këtë ngjarje Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest ne burg, për konsusmim të veprës penale të “Vrasjes me Dashje e mbetur ne tentative” dhe “Arme mbajtje pa leje”, parashikuar nga neni 76-22 e 278/2 K.Penal.

Në datën 07 dhjetor 2012 në Prezë Tiranë, ky shtetas ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasit Gerhard Ciku dhe Emanuel Ziri, duke e plagosur rëndë ata në trup, ngjarje e cila është akoma nën hetim nga policia e Tiranës, për veprën penale të “Vrasjes në Rrethana Cilësuese e mbetur në tentativë” dhe “Armë mbajtje pa leje”, parashikuar nga neni 76-22 e 278/2 K.Penal.

Gjatë momentit të kapjes 36-vjeçari, u sekuestruan një armë e tipit pistoletë TT me 14 fisheke, granata dore, fitil zjarr përcjelles, si dhe u sekuestrua automjeti tip - Tuarek me targa të huaja, si dhe disa sende e emblema të policisë së shtetit.

Po kështu i pranishëm gjatë të kapjes së këtij shtetasi ka qenë dhe disa shtetas të tjerë ku gjatë kontrollit shtetasit Osman Vuka 18 vjec, u gjend një armë e tipit pistoletë me 7 fishekë. Ky shtetas u arresta në flagrancë për Armë mbatje pa leje, parashikuar nga neni 278/2 K.Penal.

Gjithashtu u arrestua edhe shtetasi Gazmend Habib Ceni, 24 vjec, lindur e banues në Fushë Krujë. Arrestimi i tij u bë pasi ai përkrahte ose ndihmonte me sende dhe strehim shtetasin Olsi Karagjozi.

Ky shtetas u arrestua për veprën penale të “Përkrahje të autorit të krimit “të parashikuar nga neni 302 K.PENAL. Njëherazi materialet do t’i bashkalidhet procedimit penal për referim të mëtejshëm në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë", deklaroi Alma Katragjini, zëdhënese e Policisë së Tiranës.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)