TIRANË- Pas zbulimit të skandalit, Tire Alldervishi sanitarja që u hoq si infermiere e ‘Shefqet Ndroqit’ dhe i mori vajzës së një pacienteje me COVID rreth 8 mln lekë të vjetra, është arrestuar sot nga uniformat blu. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare për Shqiptarja.com. Vajza e pacientes me COVID që prej 28 ditësh ishte shtruar te ‘Shefet Ndroqi’ ka kallëzuar në polici se Tire Alldervishi i ka marrë çdo ditë rreth 5.000-6.000 lekë duke i "premtuar" se do të kujdesej për nënën e saj, por rezultoi se kundërta. 

"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit bënë ndalimin e shtetases T. A., 58 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase i është prezantuar si infermiere shtetases E. S., 30 vjeçe, e cila ka kallëzuar se gjatë muajit dhjetor, kur nëna e saj ka qenë e shtruar në spital, shtetasja T. A. e ka mashtruar duke i marrë rregullisht shuma monetare nga 5.000-6.000 lekë. Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale", njofton policia.

Ka qenë vajza e 55-vjeçares, e cila denoncoi faktin se një sanitare e këtij spitali, duke u hequr si infermiere, i ka marrë rreth 8 milionë lekë të vjetra, për shërbimet ndaj nënës së saj.

Komunikimet nëpërmjet WhatsApp-it të vajzës dhe nënës së saj të publikuara në emisionin investigativ 'Stop', faktuan se edhe shërbimi, edhe përkujdesja ndaj të ndjerës, nuk kanë qenë ato që pretendohen. E ndjera është ankuar se sanitarja që e kishte paguar nën dore i ka hequr bukën, ujin dhe nuk e ka ndërruar, për shkak se të gjitha nevojat personale ajo detyrohej t’i kryente në krevat. Fatkeqësisht, poacientja me COVID ndërroi jetë pas 28 ditësh në luftë me këtë virus. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:55
Pastruesja e 'Shefqet Ndroqit' u hoq si infermiere dhe mori para për kurimin e pacientes me COVID, Prokuroria e akuzon për mashtrim

Tire Alldervishi, sanitarja e spitalit "Shefqet Ndroqi" që u hoq si infermiere e ‘Shefqet Ndroqit’ dhe i mori vajzës së një pacienteje me COVID rreth 8 mln lekë të vjetra me pretendimin se do t'i shërbente, do të hetohet nga prokuroria për mashtrim. Njoftimin e ka dhënë sot Prokuroria e Tiranës e cila ka publikuar edhe kallëzimin penal të vajzës së pacientes.

"Shtetasja Eltjana Sinanaj, e cila ka bërë kallëzim penal ndaj shtetases Tire Alldervishi e datëlindjes 15.03.1962 pasi sipas saj, i ka marrë disa shuma parash të konsiderueshme për ti shërbyer mamasë së kallëzueses e cila ishte e shtruar në spital me Covid 19, duke ju prezantuar si infermiere ndërkohë që ishte sanitare e spitalit. Gjithashtu në emisionin “Stop” të datës 12.01.2021 janë transmetuar pamjet për ngjarjen e ndodhur. Në datën 28.11.2020 mamaja e kallzueses është shtruar tek spitali universitar “Shefqet Ndroqi” pasi ka rezultuar pozitive me COVID 19 dhe ka nderruar jete po ne kete spital me date 25.12.2020. Në derë i është paraqitur një shtetase e veshur si infermiere dhe i ka thënë që është infermiere në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Kjo shtetase ishte Tire Alldervishi dhe qe më vonë ka marrë vesh se punonte si sanitare në këtë spital. Që në momentin e parë i ka kërkuar një shumë lekësh prej 2000 lekësh që ti jepja telefonin mamit, duke i thënë që po e bënte për atë edhe pse nuk e kishte parë asnjëherë më përpara. Më pas i thotë që ta presë në lokal. Kur vjen në lokal i ka thënë, meqënëse infermierët e tjerë nuk lejohen të vijnë në lokal, e ka marrë ajo përsipër duke i kërkuar shumën e lekëve e cila ishte 10 000 për doktoreshën dhe 5000 për infermierët dhe sanitarët që i hiqnin pampersin. Kjo shumë vazhdonte çdo ditë dhe kanë qenë ditë të pakta që kallzuesja ka dhënë vetëm 3000 lekë për infermierët dhe 5000 për doktoreshën dhe përpos tyre i jepte listën e ilaçeve që duhet të merrte nga jashtë. Kallzuesja nuk e dinte a po ja jepnin ilaçet apo jo sepse mami i saj i kishte thënë me mesazhe që nuk i japin asgjë nga ato që i sillnim ata", thuhet në njoftimin e Prokuorisë.

Ora 12:43
Skandali i sanitares që mori 8 mln lekë familjarëve të pacientes me COVID, reagon 'Shefqet Ndroqi': Organet kompetente të hetojnë deri në fund

1609065995_SpitaliUniversitarShefqetNdroqisenatorium.jpg

Pas skandalit të publikuar mbrëmë ku sanitarja e spitalit COVID-2, hiqej si infermiere dhe i kishte marrë nën dorë 8 milion lekë një vajze që në këmbim të kujdesej për nënën e saj e shtruar pasi ishte me COVID, ka ardhur reagimi i ashpër i spitali "Shefqet Ndroqi".

"Gjithë personeli shëndetësor i spitalit "Shefqet Ndroqi" ndjehet tejet i  lënduar, befasuar nga veprimi korruptiv, ç'njerëzor i  sanitares me inicialet T.A dhe dënon me forcë këtë akt të paligjshëm, korruptiv i bërë publik në emisionin investigativ 'STOP'. Ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Personeli shëndetësor i  spitalit duke u distancuar nga ky veprim do të vazhdojë të ofroj me përkushtim shërbimin shëndetësor në kohë dhe me cilësi. Mbas shkarkimit nga puna e sanitares i kërkojmë autoriteteve kompetente të kryejnë hetimin deri në fund të këtij rasti. Personeli i shërbimit shëndetësor 'Shefqet Ndroqi'", thuhet në reagimin e spitalit "Shefqet Ndroqi".