Një kolonel i Forcave Ajrore Greke, me akses në informacione të klasifikuara të NATO-s, është arrestuar dhe ka pranuar se ka spiunuar për Kinën, duke nxjerrë sekrete ushtarake që konsiderohen kritike për sigurinë kombëtare të Greqisë dhe aleancës euroatlantike.

Oficeri, rreth 50 vjeç, u ndalua brenda bazës ushtarake ku shërbente në zonën e Kavourit, pas një hetimi të gjatë dhe të fshehtë të shërbimeve greke të inteligjencës. Dyshimet ndaj tij nisën disa muaj më parë, pas një sinjalizimi nga një agjenci inteligjence aleate, që ngriti alarmin për rrjedhje të mundshme informacioni të ndjeshëm.

Për shkak të detyrës që mbante, koloneli kishte akses të drejtpërdrejtë në dokumente të klasifikuara, përfshirë plane dhe të dhëna të NATO-s. Sipas autoriteteve, arrestimi u krye në momentin kur u vlerësua se sasia e informacionit që po transmetohej drejt Pekinit ishte rritur ndjeshëm dhe paraqiste rrezik të menjëhershëm.

Hetuesit thonë se gabimi që e zbuloi lidhet me gjurmët digjitale që ai la gjatë aksesimit të dosjeve sekrete. Përdorimi i kodeve QR për hyrje në materiale të klasifikuara i lejoi shërbimet e kundërzbulimit të ndjekin rrjedhën e të dhënave dhe të dokumentojnë transmetimin e tyre.

Burime pranë hetimit i thanë mediave greke se komunikimi dyshohet të jetë kryer përmes aplikacioneve të koduara, që lejojnë fshirjen e mesazheve çka e ka bërë më të ndërlikuar dokumentimin e aktivitetit të tij. Megjithatë, provat e mbledhura janë konsideruar të mjaftueshme për arrestimin.

Koloneli ka pranuar veprimtarinë e tij, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse ai ka qenë i përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme apo ka vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë. Çështja konsiderohet jashtëzakonisht e rëndë dhe bie nën nenet më të rënda të Kodit Penal Ushtarak grek.

Në një reagim zyrtar, Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare Greke konfirmoi arrestimin, duke theksuar se bëhet fjalë për mbledhje dhe transmetim të informacionit sekret ushtarak drejt palëve të treta, me pasoja serioze për interesat kombëtare.