TIRANE- Këngëtari Stresi është arrestuar nga policia e komisariatit numër 1 pasi është kapur me armë pa leje. Në orën 3 të mëngjesit të sotëm, teksa Arkimend Lushaj i njohur si Stresi, kthehej nga festimet e Halloween-it në gjendje të dehur, nuk ka pranuar që policia të kryejë një kontroll fizik rutinë. Në ato momente ai ka nisur të debatojë dhe të konfliktohet me policinë.

Pas përplasjes verbale efektivët policisë e kanë arritur të ushtrojnë kontroll fizik mbi Stresin, ku i kanë gjetur në trup një armë zjarri të tipit pistoletë që e posedonte pa leje.

Në momentin që policët i kanë gjetur armën, kundërshtimet e Arkimendit kanë qenë edhe më të ashpra, aq sa ka arritur në një pëplasje fizike me forcat blu. Gjatë përplasjes fizike ai ka tentuar që të arratiset gjë e cila ka sjellë edhe një incident të rëndë për një nga efektivët e policisë.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se në tentativë për të shmangur arratisjen e këngëtarit, efektivit të policisë i është shkrepur aksidentalisht arma e shërbimit dhe është vetëplagosur.

Nga burime të uniformave blu, mësohet se efektivi i policisë është jashtë rrezikut për jetën, ku po merr ndihmën mjekësore në spital.

Stresi mbahet i arrestuar në ambientet e komisariatit numër 1 në Tiranë. Në ditët në vijim pritet të dalë para gjykatës, pasi akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të forcave të policisë.

Ky nuk është rasti i parë që këngëtari Arkimend Lushaj, i njohur si Stresi ka pasur përplasje me policinë.

(eç/shqiptarja.com)