TIRANE - Dy të rinj janë arrestuar, pasi vidhnin duke vënë në gjumë me qetësues persona të ndryshëm. Rasti u regjistrua tek Pallatet Agimi në Tiranë, ku agresorët arritën të grabisin nga një dyqan veshjesh rreth 40 mijë lekë mall, si dhe 100 mijë lekë xhiro ditore.

Burime pranë policisë së kryeqytetit bëjnë me dije se një nga agresorët është identifikuar si 25 vjecari Andi Mekrizvani. I riu ka hyrë në dyqanin e veshjeve dhe ka porositur rreth 40 mijë lekë rroba të ndryshme, ndërsa ka pretenduar, se po shkonte të këmbente paratë në një pikë të këmbimit valuator, si dhe të porosiste diçka për të pirë pasi kishte etje.

Kamera e sigurisë në pikën e këmbimit valutor e cila ndodhet ngjitur me dyqanin e veshjeve ka fiksuar agresorin, i cili ka hyrë, por nuk ka këmbyer para. Në këtë moment, ai është rikthyer në dyqanin e veshjeve me dy pije energjike, njërën prej të cilave ja ka dhënë pronarit të biznesit.

Personi tjetër është Mentor Dunga, 33 vjeç, i cili i ka marrë një personi, 3500 euro dhe një varëse floriri. Sipas policisë është përdorur e njëjta metodë si ajo me taksistin, picierin dhe disa pensionistë, afro një muaj më parë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)