Bashkimi Evropian ka shprehur zhgënjim ndaj Serbisë për faktin se ende nuk ka arrestuar Milan Radoiçiçin, autorin e sulmit terrorist në Banjskë, i cili pak ditë më parë u pa në një tubim parazgjedhor të Partisë Progresive Serbe (SNS) në shoqërinë e djalit të presidentit Aleksandër Vuçiç.
Në një deklaratë me shkrim, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Christian Wiegand, tha se Brukseli pret prej kohësh që Serbia të ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj personave përgjegjës për sulmin.
"Jemi të zhgënjyer që, deri më sot, Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe për të ndjekur penalisht, me akuzat e duhura, përgjegjësit për sulmin në Banjskë që ndodhen në Serbi", u shpreh Wiegand.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian ka kërkuar vazhdimisht që përgjegjësit për sulmin në Banjskë, përfshirë Milan Radoiçiqin, të vihen para drejtësisë.
"Presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të vendosur për ndihmë juridike reciproke. Kjo çështje është prej kohësh e pazgjidhur dhe Serbia duhet ta trajtojë pa vonesë", shtoi zëdhënësi i BE-së.
Reagimi i Brukselit vjen pasi Milan Radoiçiç u pa në Kragujevc në një aktivitet parazgjedhor të SNS-së, ku ishte i pranishëm edhe djali i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.







Komente
Komento