Dy ditë më parë, Bajram Shala dhe Ymer Xhafa, bllokuan për të mos ikur Fitim Baboçin, i cili kishte plagosur me armë 53-vjeçarin Rexhep Tare, në dyqanin e tij.

Ditën e sotme, Kreu i Shtetit, Ilir Meta i ka pritur në zyrë ku i ka falenderuar për aktin e tyre, ndërsa veprimin e tyre e quajti si një shembull frymëzimi që i duhet shoqërisë për t’i qëndruar larg dhunës.

“Kënaqësi e veçantë të takoja sot dy qytetarë të mrekullueshëm të Kavajës, Ymer Xhafa dhe Bajram Shala, të cilët dy ditë më parë rrezikuan jetën e tyre për të neutralizuar një shtetas të armatosur në qendër të qytetit, i cili plagosi një shtetas tjetër, ngjarje që mund të kthehej në një tragjedi të madhe.

I falenderova përzemërsisht për aktin e tyre të lartë qytetar, në mbrojtje të jetës, paqes sociale dhe sigurisë publike.

Shembuj të tillë frymëzues i duhen mbarë shoqërisë tonë, për të qëndruar larg konflikteve, dhe për të reaguar kundër dhunës, krimit por dhe indiferencës, që rrezikon jetën, pronën e sigurinë qytetare.”, shkruan Meta në profilin e tij në Facebook.