Mbrëmja e së mërkurës ka qenë e vështirë për banorët e Gojanit të Vogël në Pukë, ku flakët kanë rrezikuar banesat. Një shtëpi e pabanuar është djegur, ndërsa flakët janë afruar edhe pranë banesave të tjera.
Një nënë dhe vajza e saj janë evakuuar vetëm pak minuta para se zjarri të mbërrinte në oborrin e banesës së tyre. Familja po qëndron te fqinjët derisa situata te normalizohet.
“Për Zotin, më keq s’ka ku shkon. Ne u munduam për ta shuar, por ishte e pamundur. Zjarrfikësit kanë punuar, ua bëftë Zoti hallall. Nuk bëhet fjalë me zjarrin. Unë jam larguar nga banesa. Boll u mërzita kur lashë shtëpinë. Zjarri ka djegur shtëpinë e kunatit, ndërsa shtëpia ime jo”, thotë ajo.
Ky është vijim i zjarrit që nisi 5 ditë më parë në Fushë-Laj, në masivin pyjor të Tërbunit. Flakët, të favorizuara nga era, u zgjeruan më në veri dhe përfshinë edhe pyjet e Gojanit.
Sot ka rinisur operacioni me 40 forca ne terren dhe 2 helikoptere te forcave ajrore.
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se në gjithe vendin janë aktive 5 vatra zjarri nga 35 vatra të raportuara gjatë 24-orëshit te fundit.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 382 forca operacionale dhe 40 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 90 efektivë dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Përveç Pukës, vatra aktive raportohen në Lufaj të Mirditës, Gjormin e Sipërm të Malësisë së Madhe, Tunjë e Re në Gramsh dhe Dajt të Tiranës.
Vatrat aktive:
Dajt, Tiranë - vijon puna për shuarjen e zjarrit, sot me mbështetjen e 30 efektivëve të FA. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra e Priskës është në kontroll.
Lufaj, Mirditë - vatra vijon aktive me intensitet të ulët dhe forcat operacionale vazhdojnë punën. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Tërbun-Gjegjan-Gojan, Pukë - situata në sipërfaqet pyjore të Tërbunit është përmirësuar, ndërsa vatrat në Gjegjan dhe Gojan vijojnë aktive. Gjatë operacionit u evakuua një familje dhe, falë ndërhyrjes së forcave, u shmang rreziku për banesën. Sot operacioni mbështetet nga 40 efektivë të FA dhe 2 helikopterë.
Gjorm i Sipërm, Malësi e Madhe - vijon puna për shuarjen e vatrës së riaktivizuar me 2 automjete zjarrfikëse dhe 6 efektivë të MZSH.
Tunjë e Re, Gramsh - vijon puna për izolimin dhe shuarjen e zjarrit; nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Gurë-Lura mbetet nën kontroll pas shuarjes së zjarrit, ndërsa në Qafë Helmes vijon puna e forcave operacionale, pa rrezik për zonat e banuara.
Lajm në përditësim…
Një vatër zjarri është regjistruar sot në fshatin Janç Mal, Gramsh.
Terreni i thepisur ka vështirësuar ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikësve.
Për neutralizimin e zjarrit janë angazhuar 8 punonjës te shërbimit zjarrfikes dhe 5 punonjës të shërbimit pyjor të Gramshit.

Zjarri që ka përfshirë territorin e Pukës ka kaluar edhe në Mirditë, duke aktivizuar një vatër në lagjen Molaj, në fshatin Shtuf, Kaçinar.
Sipas informacionit zyrtar, zjarri ka ardhur nga Mali i Tërbunit në Pukë dhe vijon të jetë aktiv. Për shuarjen e tij po punojnë katër efektivë zjarrfikës me një mjet, ndërsa ndërhyrja po kryhet edhe me mjete personale.
Ndërkohë, aktive vijon të jetë edhe vatra pranë Shpellës së Valit, në fshatin Përlat i Epërm, si vazhdim i zjarrit të Lufajve. Zjarri paraqitet me intensitet të ulët. Në këtë zonë po punojnë një mjet zjarrfikës me katër efektivë, si dhe tetë punonjës të shërbimit pyjor. Edhe këtu ndërhyrja po kryhet me mjete personale.
Në të dyja vatrat nuk raportohet rrezik për banesat.
Vatra e zjarrit në Rrajë të Velës është shuar mbrëmjen e djeshme.











Komente
Komento