Situata nga zjarret në masivin pyjor të Tërbunit në Pukë vijon të mbetet kritike. Prej dy ditësh, flakët po avancojnë drejt zonës së Pishës së Zezë, të favorizuara nga erërat e forta, ndërsa deri tani janë përfshirë nga zjarri mbi 12 hektarë sipërfaqe pyjore.
Gazetari i Report Tv, Armir Mehaj, raporton se në terren po punojnë zjarrfikësit e Pukës, të mbështetur edhe nga forca të ushtrisë nga Vau i Dejës. Megjithatë, terreni i vështirë dhe mungesa e rrugëve e bëjnë të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse pranë vatrave të zjarrit, duke detyruar ekipet të punojnë me mjete rrethanore.
Sipas Mehajt, era po favorizon përhapjen e flakëve, ndërsa zjarri ka kaluar edhe në zonën e Gjegjanit.
Situata mbetet problematike edhe për shkak të mungesës së ndërhyrjes nga ajri. Sipas gazetarit, helikopterët dhe avionët nuk kanë mundësi të furnizohen me ujë, pasi burimet më të afërta ndodhen në qytetin e Pukës, ku nuk ka sasi të mjaftueshme uji.
Lajmi kryesor:
Zjarret/ Nga Dajti në Gurë-Lurë të Dibrës, ende 7 vatra aktive! Vijon ndërhyrja nga ajri për shuarjen e plotë të flakëve











