FILIPINE - Presidenti i Filipineve, Benigno Aquino, ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes së paqes mes qeverisë dhe grupit më të madh rebel mysliman në vend.

Dakordësia është arritur pas procesit të gjatë të negociatave me Frontin për Çlirimin Islamik çka i jep fund një konflikti 40 vjeçar që ka çuar në mbi 120 mijë të vdekur.

Sipas asaj çka është rënë dakord mësohet se krijohen kushtet për një autonomi rajonale në jug ku myslimanët janë shumicë. Një zëdhënës i rebelëve tha se lëvizja ishte e kënaqur nga marrëveshja e arritur. Pas bisedimeve në Malajzi tanimë pakti do të firmoset formalisht javën e ardhshme në kryeqytetin e Filipineve, Manila.

Presidenti Aquino vlerësoi arritjen e marrëveshjes së paqes por tha se puna nuk mbaron këtu. Ai sqaroi se rajoni i ri autonom do të quhet Bangsamoro ndërsa së pari parashikohet ngritja e një komisioni tranzicioni që do të përgatisë bazën e autonomisë.

(dm/Gre.M/Shqiptarja.com)