Qëllimi i këtij Memorandumi Mirëkuptimi, është rritja e bashkëpunimit të ndërsjelltë mbështetur mbi vullnetarizëm për të kontribuar me mjete logjistike, kapacitete humane dhe mjete financiare, me qëllim realizimin me sukses të fushatës mbarë kombëtare të pyllëzimeve, si një nga objektivat e qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Mjedisit.
Në fjalën e tij Ministri i Mjedisit Lefter Koka u shpreh se situata e gjetur e mjedisit ishte e rëndë por falë vullnetit të qeverisë, janë ndërmarrë hapa për përmirësimin e cilësisë së mjedisit.
”Që nga shtatori i vitit 2013 mjedisi ka qenë në fokus të qeverisë shqiptare. Sigurisht që gjetëm një gjendje të rëndë dhe të mbartur ndër vite por kemi bërë çmos për të kontribuar në përmirësimin e cilësisë së mjedisit. Unë jam i bindur që qytetarët shqiptarë kanë të njëjtën përgjegjshmëri si dhe qeveria për të kontribuar e për të ndryshuar këtë realitet në pyjet shqiptare, për të pasur më pak erozion dhe një ajër më të pastër dhe në fund për të pasur një jetë më cilësore.” tha Koka
Duke folur më konkretisht për pyjet, ministri Koka theksoi se kërkohet angazhim mbarëqytetar për të bërë jetën e çdokujt prej nesh më cilësore.
“Nga fillimi i mandatit e deri në fund të këtij viti Ministria e Mjedisit synon që të ketë 2.5 milionë fidanë të mbjellë për të synuar mbajtjen e premtimit prej 10 milionë fidanësh brenda një mandati qeverisës. Por nuk mund të rehabilitojmë të vetëm mjedisin ndaj bizneset që i bashkohen fushatës kombëtare të pyllëzimit do të japin një kontribut të çmuar jo vetëm për vendin por edhe më gjerë”. tha ai
Nga ana e tij presidenti i shoqatës, Adamantios Frantzis siguroi se shoqata 'Albanian CSR Network' do të ofrojë kontributin e tyre për përmirësim të cilësisë së mjedisit.
”Kompanitë të cilat janë anëtare të Shoqatës 'Albanian CSR Network' vendosën të jepnin kontributin e tyre me një shumë simbolike për të mbështetur përpjekjet e Ministrisë së Mjedisit. Ne jemi të sigurtë që gjithashtu një pjesë e konsiderueshme e stafeve tona e cila e tejkalon shifrën e 3,000 personave, do të dalin vullnetarë në mbjelljen e fidanëve. Pjesëmarrja jonë me shumë mundësi nuk do të ndalojë këtu pasi shumë nga anëtarët tanë po shikojnë mundësinë e një përfshirjeje direkte në Iniciativën e Ministrisë së Mjedisit.” tha Frantzis
Memorandumi i Mirëkuptimit zyrtarizon bashkëpunimin dhe kontributin që do të japin bizneset në kuadër të Fushatës Kombëtare të Pyllëzimit. Në rrjetin “'Albanian CSR Netëork' janë 15 biznese shqiptare që marrin pjesë dhe që do të përfshihen në fushatë.
Memorandumi Mirëkuptimi konstiton në bashkëpunimin midis Ministrisë së Mjedisit dhe Rrjetit Shqiptar të Përgjegjshmërisë Sociale të Korporatave në fushën e sigurimit të fidanëve pyjorë për të garantuar kontigjentin e nevojshëm për përballimin me sukses të fushatës mbarë kombëtare të pyllëzimeve, në fushën e mbulimit me donacione monetare të veprimtarive dhe operacioneve në kuadër të fushatës mbarëkombëtare të pyllëzimeve. Memorandumi konsiston gjithashtu në fushën e sensibilizimit të shoqërisë dhe rinisë në veçanti, për një mjedis të gjelbër e më të shëndetshëm.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)