Inflacioni në Eurozonë pritet të mbetet i lartë gjatë muajve të ardhshëm, ndërsa Banka Qendrore Europiane (BQE) po shqyrton mundësinë e një tjetër rritjeje të normave të interesit në dhjetor. Paralajmërimi vjen nga presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, në një intervistë për gazetën japoneze Yomiuri Shimbun.
Lagarde tha se ende nuk mund të konfirmojë nëse normat e interesit do të rriten muajin e ardhshëm, por theksoi se aktualisht nuk ka sinjale që tregojnë një ndryshim të prirjes së inflacionit.
“E dimë se normat e inflacionit do të mbeten të larta gjatë tremujorëve të ardhshëm”, deklaroi ajo.
Sipas Lagarde, BQE po ndjek me kujdes marrëveshjet shumëvjeçare të pagave, pritshmëritë e kompanive për rritjen e tyre dhe tregues të tjerë ekonomikë, për të përcaktuar hapat e ardhshëm. Aktualisht, inflacioni në Eurozonë është dyfishi i objektivit prej 2% të BQE-së. Për këtë arsye, disa zyrtarë kanë sinjalizuar një rritje të mundshme të normave të interesit me 0.25 pikë përqindjeje në dhjetor.
Një vendim i tillë do të pasonte dy rritjet e mëparshme, të ndërmarra pas shtrenjtimit të energjisë si pasojë e luftës kundër Iranit. Megjithatë, sipas Bloomberg, shqetësimi kryesor është se sa mund të rriten më tej kostot e huamarrjes pa dëmtuar ekonominë e 21 vendeve të Eurozonës.
Ndërkohë, Lagarde, 70 vjeçe, ka njoftuar se do të largohet nga drejtimi i BQE-së në shkurt, rreth nëntë muaj përpara përfundimit të mandatit. Në garë për ta pasuar janë holandezi Klaas Knot dhe spanjolli Pablo Hernández de Cos.
E pyetur për mundësinë e kandidimit në zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2027, Lagarde tha se nuk e ka një plan të tillë, por synon të marrë pjesë në debatin publik dhe të shprehë qëndrimet e saj për kandidatët.





Komente
Komento