TIRANE, 3 Janar/ATSH/- Akset rrugorë nacionale janë të kalueshme dhe pa probleme në shumicën e tyre, ndërsa problematike situata mbetet në rrugët dytësore dhe ato lidhëse me komunat e thella malore ku rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.
Autoriteti Shtetëror i Rrugëve bën të ditur se në qarkun e Tiranës dhe Durrësit akset rrugore janë të gjitha të kalueshme.
Ndërkohë, në aksin Elbasan-Librazhd rruga është e hapur dhe rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në segmentin Elbasan-Gjinar.
Pa probleme situata paraqitet dhe në Berat, teksa këtë të shtunë i kalueshëm pa zinxhir është bërë dhe segmenti i Llogorasë në qarkun e Vlorës.
Në qarkun e Gjirokastër në rrugët urbane nuk paraqiten probleme dhe rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në aksin Erind-Çajup pasi ka prani të ngricave.
Akset rrugore në qarkun e Korçës, aty ku dhe reshjet e dëborës kanë qenë të larta në fund vit, janë të kalueshme në segmentet kombëtare por ka prani ngricash në trasenë Korçë-Dardhe dhe rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.
Situata nën kontroll paraqitet dhe në qarkun e Kukësit përfshin dhe rrugën e kombit ku kalimi i mjeteve kryhet pa zinxhirë.
Borëpastruesit janë të pranishëm në Qaf Mali dhe Qaf Buall bënë me dije ASHR ku veç pastrimit të akseve në qarkun e Dibrës po punohet dhe me hedhjen e kripës./a.gjonaj//a.ke/